Në Rusi ka hyrë në fuqi një ligj i ri sipas të cilit kërkimi në internet për “përmbajtje ekstremiste” dënohet me një gjobë prej rreth 50 eurosh. Kjo përfshin edhe kërkime të lidhura me opozitën, temat LGBT apo disa zhanre të caktuara muzike, duke krijuar pasiguri mbi mënyrën e zbatimit të tij.
Ministri rus për dixhitalizimin, Makus Shadayev, raportoi në një mbledhje të Qeverisë me Presidentin Vladimir Putin se ligji nr. 281-F3 parashikon gjoba deri në 5,000 rubla (53 euro) për akses të qëllimshëm në materiale ekstremiste të regjistruara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat aktualisht arrijnë në 5,500 raste. Ai theksoi se platformat e huaja shpesh refuzojnë t’i heqin këto përmbajtje, ndërkohë që mbi 20,000 kërkesa të Roskomnadzor mbeten pa përgjigje.
Shadayev sqaroi se autoritetet duhet të vërtetojnë që një përdorues ka hyrë me vetëdije në materiale të tilla, duke shtuar se përdoruesit e zakonshëm nuk kanë pse të shqetësohen.
Megjithatë, opozita paralajmëroi se ligji i shtyn qytetarët drejt përmbajtjes së ndaluar, pasi në Rusi çdo gjë mund të shpallet ekstremiste – nga librat dhe postimet e politikanëve opozitarë në rrjetet sociale, deri tek filmat dhe muzika. Për më tepër, listat përditësohen shpesh dhe është e vështirë të mbahet një pasqyrë e qartë. Rreth 40% e popullsisë ruse përdor VPN për të anashkaluar bllokimet, gjë që sipas Kremlinit i kthen në “kriminelë potencialë”.
Ndërkohë, kryetari i Komitetit të Dumës për Politikën e Informacionit, Sergey Boyarsky, deklaroi se VPN-të mbeten të lejuara dhe përdoren për arsye të dobishme, por përdorimi i tyre për të hyrë në përmbajtje ekstremiste konsiderohet provë e qëllimit të vetëdijshëm. Reklamimi i VPN-ve është i dënueshëm dhe kushton individëve dhjetëfish më shumë sesa gjoba për kërkim ekstremist, ndërsa për personat juridikë deri 50 herë më shumë.
Avokati Kaloj Ahilgov ngriti dyshime mbi zbatimin praktik të ligjit, duke thënë se kjo do të thotë që ofruesit e internetit duhet të monitorojnë përdoruesit. Ai kujtoi se qytetarët kanë të drejtë të refuzojnë kontrollin e telefonit nga policia, ashtu si kanë të drejtë të refuzojnë dëshminë kundër vetes. Megjithatë, ligji i ri shihet si një tjetër mjet për të shtypur lirinë e shprehjes dhe mendimet ndryshe në Rusinë e Presidentit Vladimir Putin.
© SYRI.net