Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas sulmit ajror të Izraelit ndaj spitalit Nasser në Khan Yunis, në Gaza, ku humbën jetën 20 persona, mes tyre edhe 5 gazetarë të mediave ndërkombëtare.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se nuk kishte asnjë dijeni për ngjarjen, por shtoi se “nuk është i lumtur për këtë”.
Sulmi ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne dhe ka shkaktuar tronditje të madhe në arenën ndërkombëtare, sidomos për faktin se mes viktimave janë edhe profesionistë të medias që raportonin nga terreni i konfliktit.
Reagimet e para nga organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve kanë dënuar ashpër ngjarjen, duke e cilësuar një shkelje flagrante të së drejtës humanitare dhe të lirisë së shtypit.
Izraeli ende nuk ka dhënë një reagim të plotë mbi incidentin, ndërsa situata në Gaza mbetet e tensionuar.
© SYRI.net