Socializmi mposhtet në Bolivi për herë të parë pas dy dekadash

Socializmi mposhtet në Bolivi për herë të parë pas dy dekadash

18:41, 18/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lëvizja socialiste në Bolivi është mposhtur për herë të parë pas 20 vitesh, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve, ndërsa votuesit zgjodhën një kandidat qendror dhe një të djathtë për të shkuar ballë për ballë në balotazhin presidencial që mund të sjellë ndryshime dramatike për këtë vend të Amerikës së Jugut.

Senatori centrist Rodrigo Paz dhe ish-presidenti i djathtë Jorge "Tuto" Quiroga fituan më shumë vota të dielën, sipas një numërimi të hershëm jozyrtar që tregonte se të dy kishin një epërsi pothuajse të pakapërcyeshme në garën e ngjeshur presidenciale në këtë vend me 12 milionë banorë.

Kjo shënon fundin e një epoke socialiste për Bolivinë, ku lëvizja e majtë e ish-presidentit Evo Morales ka dominuar politikën që prej zgjedhjes së tij historike në vitin 2005 si presidenti i parë indigjen i vendit. Teksa vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në 40 vjet, votuesit kërkuan ndryshim.

Sondazhet kishin parashikuar që dy kandidatë të djathtë të shkonin në raundin e dytë. Por, në një kthesë të papritur, mbështetja u rrit për Paz, i cili dukej se mori më shumë vota duke ofruar një rrugë alternative, i ndihmuar edhe nga kandidati i tij për zëvendëspresident, Edman Lara, një ish-kapiten policie i ri dhe i njohur në TikTok që u bë viral pasi denoncoi korrupsionin në polici.

I rrethuar nga mbështetës pas shpalljes së rezultateve, Paz bëri thirrje për "një sulm frontal ndaj korrupsionit" dhe ndryshime ekonomike "që t'i përkasin popullit dhe jo shtetit."

"Bolivia nuk po kërkon vetëm një ndërrim qeverie, por edhe një ndryshim të sistemit politik," tha Paz. "Ky është fillimi i një fitoreje të madhe dhe një transformimi të madh."

Fituesi i vendit të tretë, Samuel Doria Medina, pranoi humbjen dhe tha se do ta mbështeste Pazin në raundin e dytë. Dy kandidatët e majtë dolën në vendin e katërt dhe të gjashtë, sipas rezultateve të hershme.

"Ky është një votim protestë kundër qeverive të MAS-it," tha analistja politike boliviane Maria Teresa Zegada, duke iu referuar partisë së Moralesit, Lëvizjes për Socializëm. Sipas saj, Paz u ofroi votuesve një opsion jashtë partive tradicionale, "një mundësi interesante."

E ashtuquajtura "Mrekulli ekonomike" e Moralesit dikur lavdërohej si një histori suksesi socialist gjatë tre mandateve të tij si president. Qeveria e tij u kreditua me ngritjen e miliona njerëzve nga varfëria drejt klasës së mesme. Popullariteti i Moralesit, edhe pas tre mandateve dhe një përpjekjeje të diskutueshme për një të katërt, ndihmoi zgjedhjen në vitin 2020 të pasuesit të tij të zgjedhur, Luis Arce, ish-ministri i ekonomisë.

Por, si shumë liderë të majtë të Amerikës Latine në fillim të këtij shekulli, shpenzimet qeveritare të Moralesit u mbështetën tek paratë e ardhura nga bumi i lëndëve të para. Gjithçka ndryshoi kur çmimet e gazit natyror, eksporti kryesor i Bolivisë, ranë ndjeshëm. Eksportet ranë, importet u rritën dhe banka qendrore filloi të mbetej pa dollarë. Deri në vitin 2023, vendi prodhonte vetëm 12% të naftës së vet, ndërsa dikur prodhonte gjysmën.

Në muajt e fundit, bolivianët janë detyruar të flenë në makina duke pritur në radhë për karburant. Inflacioni, i kontrolluar në 2% deri në vitin 2023, arriti mbi 16% në korrik. Ata që varen nga ushqimet e subvencionuara nga shteti, mbajnë radhë të gjata edhe për bukë.

"Jemi të falimentuar, nuk ka vende pune, gjithçka është bërë më e shtrenjtë dhe paratë nuk mjaftojnë," tha Julia Ayala Casa, ndërsa votonte për Pazin në jug të La Paz-it, e veshur me fundin tradicional pollera të grave indigjene Aymara dhe Quechua. "Duhet të rrimë në radhë edhe për vaj. Ka radhë për gjithçka."

Ndërsa kriza thellohej, MAS u përça. Arce dhe Morales, ish-aleatë, u kthyen në armiq politikë duke fajësuar njëri-tjetrin për situatën. Arce, me popullaritet në rënie, vendosi të mos kandidonte.

Pasi gjykata kushtetuese e bllokoi Moralesin për një mandat të katërt, 65-vjeçari nxiti një strategji të re: të ftonte qytetarët të protestonin duke shënuar një X të madhe në fletëvotim.

Për muaj të tërë, ai është strehuar në një fortesë tropikale në Chapare, zonë e largët e kultivimit të bimës së kokës, duke shmangur një urdhër arresti nën mbrojtjen e mbështetësve të armatosur me shkopinj e mburoja. Moralesi i tha The Washington Post javën e kaluar se mund të mobilizonte përkrahësit brenda minutash. Arce, nga ana tjetër, kishte urdhëruar policinë të përgatitej për dhunë të mundshme.

Humbja e së majtës mund të sjellë ndryshim të madh në marrëdhëniet me SHBA-në, pas dekadash antagonizmi nga Moralesi dhe partia e tij. Të dy kandidatët e balotazhit kanë studiuar në universitete amerikane.

Paz është djali i ish-presidentit Jaime Paz Zamora (1989–1993). Ai ka lindur në Spanjë gjatë mërgimit të të atit, dhe më pas është zgjedhur deputet në vitin 2002, kryetar bashkie në Tarija e sot senator. Ai propozon ulje taksash, çmime karburantesh të përcaktuara nga tregu dhe kufizim të mandatit presidencial në vetëm një herë.

Sipas analistëve, Paz përfaqëson një "politikë të re", ndonëse në thelb është vazhdim i asaj të të atit, por me një brez më të ri. Ai u përpoq të lidhej më shumë me klasën punëtore dhe sektorin informal me sloganin "kapitalizëm për të gjithë." Gjithashtu mori mbështetje nga komunitetet ungjillore.

Nga ana tjetër, Quiroga, president i përkohshëm në vitet 2001–2002, rival i ashpër i Moralesit, premton të negociojë 12 miliardë dollarë financime nga FMN-ja dhe Banka Botërore, të privatizojë kompanitë shtetërore joefikase dhe të ulë subvencionet. Pas shpalljes së rezultateve, ai bëri thirrje për "pajtim kombëtar" dhe "faqe të re pas 20 vitesh," duke premtuar stabilizim ekonomik.

"Duhet të kalojmë nga një shtet i centralizuar tek një vend me liri, me të drejta pronësie për secilin, me investime e tregti të lirë," tha ai.

Shumë votues e panë Quiroga-n si të përgatitur për momentin. "E kemi duruar socializmin për shumë kohë," tha Janeth Alvarezi, një sekretare 45-vjeçare që votoi për të në La Paz. "Çmimet janë aq të larta sa nuk mund të kursejmë më. Jetojmë muaj pas muaji."

Ndërkohë, Paolo Monroy, 30 vjeç, tha se dikur besonte tek ndryshimet e sjella nga Moralesi, por korrupsioni dhe mashtrimet zgjedhore ia shuan besimin. "E majta tregoi se nuk funksionon për Bolivinë," tha ai. "Na duhet një ndryshim radikal." / Washington Post - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco