Presidenti Donald Trump të hënën shkroi në rrjetin e tij social se do të udhëheqë një "lëvizje" për të hequr fletëvotimet me postë dhe makinat e votimit, duke pretenduar se ato çojnë në mashtrime zgjedhore.
"Do të udhëheq një lëvizje për të hequr fletëvotimet me postë dhe gjithashtu, jemi që jemi, makinat e votimit jashtëzakonisht 'të pasakta', shumë të shtrenjta dhe tejet të diskutueshme, të cilat kushtojnë dhjetë herë më shumë se letra e thjeshtë Watermark, që është më e shpejtë dhe nuk lë asnjë dyshim në fund të mbrëmjes se kush FITOI dhe kush HUMBI zgjedhjet," shkroi Trump në rrjetet e tij sociale.
Ai tha se do ta nisë këtë nismë me një urdhër ekzekutiv para zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2026. Një urdhër i tillë ka shumë gjasa të përballet me sfida ligjore.
"Kujtoni, shtetet janë thjesht një 'agjent' i Qeverisë Federale në numërimin e votave. Ata duhet të bëjnë atë që Qeveria Federale, e përfaqësuar nga Presidenti i SHBA-së, u thotë, PËR TË MIRËN E VENDIT TONË," shkroi Trump.
Por Kushtetuta u jep pushtet legjislaturave të shteteve për të përcaktuar "kohën, vendin dhe mënyrën" e mbajtjes së zgjedhjeve, me përjashtim të rasteve kur Kongresi ndërhyn për ta rregulluar procesin.
Trump prej kohësh ka hedhur dyshime mbi votimin me postë, shpesh përkundër kundërshtimeve të shumë republikanëve. Ai ka pretenduar se votimi me postë ndikoi në humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020, ndonëse nuk është zbuluar kurrë mashtrim i përhapur.
Postimi i tij erdhi pasi Trump i tha Fox News se kishte diskutuar për votimin me postë në SHBA me presidentin rus Vladimir Putin. Të dy u takuan javën e kaluar në Anchorage, Alaska, ku Putin tha se lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur nëse Trump do të ishte president.
"Vladimir Putin, një njeri i zgjuar, tha që nuk mund të kesh zgjedhje të ndershme me votim me postë," i tha Trump Sean Hannity-t në një intervistë pas samitit.
Trump shtoi se Putini "tha se nuk ka asnjë vend në botë që e përdor atë tani", ndonëse edhe vetë Rusia ka votim me postë.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të Rusisë 2024, ku Putin shpalli fitore dërrmuese, u cilësua nga shumë vende perëndimore si jo i lirë dhe jo i ndershëm. Departamenti i Shtetit i SHBA-së tha se ato "u zhvilluan në një klimë shtypjeje të fortë politike që ka margjinalizuar ose heshtur plotësisht çdo zë të pavarur."
Fiona Hill, ish-këshilltarja kryesore e Trump-it, e cila ka qenë e pranishme në vitin 2018 kur ai tha se e besonte mohimin e Putinit për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës mbi gjetjet e shërbimeve amerikane të inteligjencës, komentoi çështjen në emisionin Face the Nation në CBS.
"Si zakonisht, ky është Vladimir Putini që përpiqet të manipulojë politikën e brendshme amerikane," tha ajo. Sipas Hill, Putin "dëshiron të mbjellë kaos në sistemin zgjedhor amerikan para zgjedhjeve të mesmandatit." / ABC News - Syri.net
© SYRI.net