Zelensky: 10 të vrarë nga sulmet ruse, Putini po poshtëron përpjekjet për paqe

Zelensky: 10 të vrarë nga sulmet ruse, Putini po poshtëron përpjekjet për paqe

16:57, 18/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dënuar ashpër sulmet ajrore të ushtrisë ruse të kryera natën e kaluar mbi qytetet Kharkiv dhe Zaporizhzhia, ku humbën jetën të paktën 10 persona. Përmes një mesazhi në Telegram, të cituar nga disa media ndërkombëtare, përfshirë BBC, Zelensky deklaroi se “makineria e luftës ruse vazhdon të shkatërrojë jetë” dhe se presidenti rus, Vladimir Putin, po kryen “vrasje cinike e demonstrative” me qëllim që të mbajë nën presion Ukrainën dhe Evropën, duke poshtëruar në të njëjtën kohë çdo përpjekje diplomatike për paqe.

Deklarata e Zelenskyt vjen në prag të takimit të tij të planifikuar sot me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington. Kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi se Rusia nuk duhet të shpërblehet për luftën e saj, duke nënvizuar se për Kievin prioritet mbeten garancitë e sigurisë nga Perëndimi.

“Shpresoj të kemi kohë për të diskutuar arkitekturën e garancive të sigurisë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për ne”, tha Zelensky gjatë një takimi paraprak me të dërguarin amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg.

Më tej, asi shtoi: “Rusia mund të detyrohet në paqe vetëm me forcë. Dhe presidenti Trump e ka këtë forcë.” 

Mesazhet e tij përkojnë me një moment delikat në skenën ndërkombëtare, ku përballë përshkallëzimit të sulmeve ruse, Kievi kërkon mbështetje të qartë dhe të fortë nga SHBA dhe aleatët evropianë, për të mos lejuar që agresioni rus të përkthehet në avantazhe politike apo territoriale për Kremlinin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco