Zjarrfikësit spanjollë po përballen ende me 12 zjarre të mëdha në rajonin veriperëndimor të Galicisë, ndërsa vala rekord e të nxehtit ka përfshirë gjithë Evropën jugore. Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi vendosjen e 500 ushtarëve të tjerë, duke iu shtuar mbi 1,400 forcave që tashmë janë në terren për të luftuar flakët.
Autoritetet thonë se shtëpi dhe banesa janë ende në rrezik, ndërsa janë kryer evakuime dhe izolime në zonat më të prekura pranë qytetit të Ourense-s.
Temperaturat ekstreme, që të dielën pritet të arrijnë deri në 45 gradë Celsius, po e rrisin ndjeshëm rrezikun e zjarreve në pjesën më të madhe të Spanjës, sipas agjencisë kombëtare të motit AEMET.
Zjarret kanë djegur deri tani 3,430 kilometra katrorë, një sipërfaqe sa Londra metropolitane, ndërsa vendi pret ndihmën e avionëve zjarrfikës nga Holanda, Franca dhe Italia. Operatorët hekurudhorë kanë pezulluar linjën Madrid–Galici për shkak të flakëve, ndërsa popullsia është këshilluar të shmangë qëndrimin jashtë dhe të përdorë maska për mbrojtje nga tymi.
Në Portugali, mbi 4,000 zjarrfikës dhe 1,300 mjete janë angazhuar për të shuar zjarret, me një sipërfaqe të djegur 17 herë më të madhe se vitin e kaluar. Situata është kritike edhe në Turqi, ku flakët kërcënojnë zonën historike të Galipolit dhe kanë shkaktuar evakuimin e disa fshatrave.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike po e bëjnë Evropën gjithnjë e më të cenueshme ndaj zjarreve, me temperatura dhe thatësira të paprecedenta që po shkatërrojnë rajonin këtë verë.
© SYRI.net