Pesë gazetarë të rrjetit Al Jazeera u vranë të dielën në një sulm ajror izraelit në Gaza City, mes tyre edhe korrespondenti 28-vjeçar Anas al-Sharif, i njohur për raportimet e tij të vazhdueshme që nga fillimi i luftës.
Sipas Al Jazeera-s, përveç Sharif, humbën jetën edhe korrespondenti Mohammed Qreiqeh dhe kameramanët Ibrahim Zaher, Mohammed Noufal dhe Moamen Aliwa. Dy persona të tjerë u vranë në të njëjtin sulm, mes tyre gazetari lokal i pavarur Mohammed al-Khaldi. Sulmi kishte si shënjestër një tendë të përdorur nga gazetarët, duke shkaktuar reagime të ashpra ndërkombëtare, përfshirë nga OKB-ja, Katari dhe organizata për lirinë e medias.
Izraeli e akuzoi Sharif-in si “udhëheqës të një celule terroriste të Hamasit”, por deri më tani ka ofruar pak prova. Al Jazeera, familjarët dhe organizatat e të drejtave të medias e kanë hedhur poshtë pretendimin, duke e cilësuar si të pabazuar. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve theksoi se edhe nëse ai kishte punuar dikur për Hamasin, kjo nuk e bënte një objektiv legjitim sipas ligjit ndërkombëtar.
Sharif, i lindur në Jabalia, ishte një nga zërat e fundit raportues nga Gaza City, duke refuzuar të largohej nga veriu i Rripit pavarësisht urdhrave të evakuimit. Ai ishte baba i dy fëmijëve të vegjël dhe kishte humbur të atin në një bombardim izraelit në dhjetor 2023. Vetëm disa orë para vdekjes, ai raportoi për bombardime të ashpra në qytet.
Qreiqeh, 33 vjeç, gjithashtu ishte ndarë nga familja e tij për muaj të tërë gjatë luftës, duke raportuar nga vijat e para. Transmetimi i tij i fundit ishte pak minuta para se të goditej.
Sipas Reporterëve pa Kufij, afro 200 gazetarë janë vrarë në konfliktin e nisur pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Organizata akuzon ushtrinë izraelite për një “model të qëndrueshëm” të shënjestrimit të gazetarëve dhe thotë se mungesa e llogaridhënies për raste të mëparshme, si vrasja e Shireen Abu Aqla në vitin 2022, ka hapur rrugën për sulme të tjera.
Në një mesazh të publikuar pas vdekjes së tij, Sharif shkruante: “Dhashë çdo përpjekje dhe gjithë forcën time për të qenë mbështetje dhe zë për popullin tim… Mos e harroni Gazën.”
© SYRI.net