Para takimit me Putin, Trump zbulon detaje: Do ketë shkëmbim territoresh, jam i irrituar nga...

Para takimit me Putin, Trump zbulon detaje: Do ketë shkëmbim territoresh, jam i irrituar nga...

19:19, 11/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti amerikan Donald Trump ka folur këtë të hënë lidhur me takimin e ardhshëm të tij me homologun rus Vladimir Putin, ku ka siguruar gazetarët se do të ketë një shkëmbim territoresh mes Rusisë dhe Ukrainës, pavarësisht kundërshtimit të liderit të Kievit, Volodymyr Zelensky.

“Shkoj mirë me Zelensky-n, por, e dini, nuk jam dakord me atë që ka bërë – jam shumë, shumë seriozisht në mosmarrëveshje me të,” tha Trump në një konferencë shtypi.
“Kjo është një luftë që nuk do të duhej të kishte ndodhur kurrë.”

Presidenti amerikan u shpreh gjithashtu i pakënaqur nga deklaratat e Zelensky-t, që mohoi mundësinë që Ukraina të dorëzojë territore ndaj Rusisë.

“Jam pak i irrituar që Zelensky tha se i nevojitet miratim kushtetues. Dua të them, mori miratim për të shkuar në luftë dhe për të vrarë njerëz, por i duhet miratim për një shkëmbim territoresh? Sepse do të ketë një shkëmbim territoresh.”, shtoi ai.

Përpara gazetarëve, Trump theksoi se do të takohet me Putin të premten në Alaskë për të parë se cilat mund të jenë kufijtë e një marrëveshjeje paqeje, përpara se të flasë dhe me presidentin ukrainas dhe liderët evropianë.

“Do të takohem me presidentin Putin dhe do të shohim çfarë ka në mendje. Nëse është një marrëveshje e drejtë, do ta ndaj me liderët e Bashkimit Evropian, me liderët e NATO-s dhe gjithashtu me presidentin Zelensky,” tha Trump, duke theksuar se do ta telefonojë fillimisht Zelenskyn “nga respekti”.

“Nuk do ta bëj unë marrëveshjen”

Por Trump theksoi se nuk është në dorën e tij të bëjë një marrëveshje:

“Nuk do ta bëj unë marrëveshjen. Nuk më takon mua. Mendoj se një marrëveshje duhet të bëhet për të dyja palët.”, citon CNN.

Presidenti amerikan u shpreh se mendon që bisedimet “do të jenë të mira, por mund të jenë edhe të këqija”. Ai paralajmëroi se takimi i së premtes mund të mos sjellë asnjë përparim: “Mund të largohem dhe të them ‘fat të mbarë’, dhe kaq. Mund të them ‘kjo nuk do të zgjidhet.’”

Trump theksoi: “Jam këtu për një arsye të vetme – për t’i dhënë fund një lufte që dikush tjetër e nisi.”

“Zelensky mund të marrë pjesë, por…”

Presidenti amerikan theksoi se Zelensky “mund” të marrë pjesë në samitin me liderin rus në Alaskë të premten, por shprehu skepticizëm se prania e tij do të ndryshonte diçka për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.

“Ai nuk ishte pjesë e kësaj. Do të thosha që mund të vijë, por ka marrë pjesë në shumë takime. E dini, ka tre vjet e gjysmë që është aty. Asgjë nuk ka ndodhur,” tha Trump.

“Do të kemi një takim me Vladimir Putinin, dhe në fund të atij takimi, ndoshta në dy minutat e para – do ta kuptoj saktësisht nëse mund të arrihet një marrëveshje ose jo.”

Kur një gazetar e pyeti se si do ta kuptonte këtë: “Sepse kjo është ajo që bëj. Unë bëj marrëveshje,” u përgjigj Trump.

Presidenti shtoi se një takim mes Putinit dhe Zelensky-t do të ishte i domosdoshëm: “Në fund, do t’i vendos të dy në një dhomë. Mund të jem aty ose jo, dhe mendoj se do të zgjidhet”.

“Liderët evropianë janë të lodhur duke u përpjekur të zgjidhin krizën”

Liderët evropianë “kanë kaluar në overdozë” duke u përpjekur të zgjidhin krizën në Ukrainë, deklaroi Trump, duke cituar atë që i kishte thënë privatisht një prej liderëve evropianë.

“Nuk është një shprehje e bukur, por është e saktë. Janë të lodhur dhe duan të kthehen të shpenzojnë para për vendet e tyre,” shtoi ai.
“Marrëdhënia ime me ta është shumë e mirë dhe ata po mbështeten tek unë.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco