Të premten, përfaqësuesi Tim Burchett (republikan nga Tenesi) i kërkoi kryetarit të Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, James Comer (republikan nga Kentaki), që të ftojë George Sorosin dhe një nga punonjësit e tij për të dëshmuar para Kongresit lidhur me zbulimet e reja të deklasifikuara mbi çështjen e njohur si “Russiagate”.
Muajin e shkuar, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, deklasifikoi prova në lidhje me përpjekjet e administratës Obama për të minuar kandidaturën e Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, nëpërmjet pretendimeve për ndërhyrje nga ana e Rusisë. Sipas provave të zbuluara, zyrtarët e Partisë Demokratike kishin shtyrë përpara akuzat për ndërhyrje ruse edhe pse kishin prova që tregonin të kundërtën.
Ndër dokumentet e publikuara ndodhet edhe një email i supozuar i shkruar nga Leonard Benardo, aktualisht nënkryetar i Fondacioneve “Open Society” të George Sorosit. Sipas Burchett, emaili tregon se Benardo po “planifikonte diskreditimin e administratës së ardhshme të Trump-it”.
“Duke marrë parasysh ndikimin e vazhdueshëm të Fondacioneve ‘Open Society’ në zgjedhjet amerikane, kërkoj me respekt që të ftoni z. Soros dhe z. Benardo të dëshmojnë në një seancë publike para Komisionit,” shkruan Burchett në një letër të shkurtër drejtuar Comer-it.
Emaili në fjalë, i datës 27 korrik 2016, thuhet se përmban një pohim se ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kishte miratuar një propozim për të lidhur Donald Trump-in me Rusinë, për të larguar vëmendjen nga skandali i saj i email-eve, sipas New York Times. Emaili pretendohet se është shkruar nga Benardo, por ai i ka thënë hetuesit të posaçëm të Departamentit të Drejtësisë, John Durham, në vitin 2021, se nuk e kishte parë dhe as shkruar ndonjëherë atë email.
Durham konkludoi në vitin 2023 se ky email dhe një tjetër i ngjashëm, gjithashtu i atribuuar Benardos, ka shumë gjasa që ishin të sajuar. Sipas një aneksi të raportit të hetuesit të posaçëm, besohet se email-et e pretenduara ishin falsifikuar nga hakerë rusë.
Në rast se Sorosi dhe Benardo nuk pranojnë ftesën për të dëshmuar, Burchett i kërkoi Comer-it që të përdorë fuqinë e tij për t’i thirrur me urdhër zyrtar.
“Amerikanët meritojnë përgjigje mbi mënyrën se si institucionet e tyre janë dëmtuar nga aktorë të ligj,” përfundoi ai.
Burchett është një nga shumë ligjvënës republikanë që kanë kritikuar vazhdimisht përfshirjen e Sorosit në politikën amerikane dhe mbështetjen e tij për Partinë Demokratike.
Gjatë ciklit zgjedhor të vitit 2022, Soros u bë donatori më i madh politik në SHBA, pasi dhuroi 128.5 milionë dollarë për komitetet politike të Partisë Demokratike, sipas Washington Post. Gjatë zgjedhjeve të mëparshme presidenciale, Sorosi dhe djali i tij Alexander mbështetën ish-zëvendëspresidenten Kamala Harris, e cila humbi përballë Trump-it.
Para zgjedhjeve të nëntorit 2024, Burchett e quajti Sorosin “një kambist i llojit më të keq” për financimin e organizatave liberale dhe promovimin e prokurorëve me qasje të butë ndaj krimit, mes shumë kauzave të tjera. Kritikët e akuzuan këtë deklaratë si përdorim të një stereotipi antisemit kundër Sorosit, i cili është hebre. Por Burchett u qëndroi fjalëve të tij.
“Do të thosha që votimet dhe qëndrimet e mia tregojnë qartë mbështetjen time për Izraelin dhe popullin hebre,” i tha ai HuffPost-it tetorin e shkuar. “Njerëzit e dinë çfarë bën George Sorosi me miliardat e tij dhe nëse nuk e dinë atëherë duhet të shohin më nga afër.”/ Washington Examiner - Syri.net
© SYRI.net