Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur vendosjen e tarifave të reja për mallrat e importuara nga më shumë se 90 vende, pasi afati i vendosur prej tij për arritjen e marrëveshjeve tregtare skadoi më 1 gusht. Masat përfshijnë një rritje të ndjeshme të kostove për kompanitë që sjellin mallra të huaja në SHBA, të cilat tani do të duhet të paguajnë tarifa të reja ndaj qeverisë federale.
Sipas analistëve ekonomikë, bizneset importuese mund t’i transferojnë këto kosto te konsumatorët amerikanë përmes çmimeve më të larta, çka pritet të ndikojë drejtpërdrejt në inflacionin dhe fuqinë blerëse në tregun vendas.
Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 7 gusht, përveç normës prej 35% për mallrat nga Kanadaja, e cila ka nisur të zbatohet që më 1 gusht. Megjithatë, shumë mallra kanadeze përjashtohen falë marrëveshjes tregtare SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA).
Ndër vendet më të prekura është Brazili, i cili tani përballet me një normë tarife prej 50% për shumicën e mallrave të tij, duke e bërë atë një ndër partnerët tregtarë më të penalizuar nga këto masa të reja amerikane.
Ndërkohë, negociatat me Kinën janë ende në zhvillim e sipër. Pekini dhe Uashingtoni kanë rënë dakord për një shtyrje deri më 12 gusht, në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve tregtare.
Edhe Meksika do të përfitojë një lehtësim të përkohshëm, pasi Trump ka bërë të ditur se tarifat ekzistuese do të vazhdojnë të aplikohen për 90 ditë të tjera, duke shmangur për momentin një rritje të planifikuar në 35%.
Administrata amerikane pritet të publikojë listën e plotë të vendeve dhe shkallëve të tarifave përkatëse, me fokus te ato që përbëjnë pjesën më të madhe të importeve drejt SHBA-së.
© SYRI.net