Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 14-të e protestave kundër Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Trump anulon projektet e energjisë së erës në det të hapur, favorizon karburantet fosile

Trump anulon projektet e energjisë së erës në det të hapur, favorizon karburantet fosile

22:35, 01/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar anulimin e planeve për zhvillimin e projekteve të reja të energjisë së erës në det të hapur në ujërat federale, duke thelluar edhe më tej qëndrimin e tij armiqësor ndaj energjive të rinovueshme. Vendimi u zyrtarizua të mërkurën nga Byroja e Menaxhimit të Energjisë Oqeanike, e cila njoftoi tërheqjen e më shumë se 3.5 milionë akrave të përcaktuara si zona potenciale për energjinë e erës pranë brigjeve të Teksasit, Luizianës, Maine-it, Nju Jorkut, Kalifornisë, Oregonit dhe Atlantikut qendror.

Sipas administratës Trump, anulimi i këtyre planeve është pjesë e një përpjekjeje për të shmangur “zhvillimin spekulativ të energjisë së erës”. Vendimi përbën një hap prapa nga politika e presidentit të mëparshëm Joe Biden, i cili kishte shpallur një plan pesëvjeçar për dhënien me qira të zonave federale për projekte të mëdha të energjisë së pastër.

Ndërkohë, Sekretari i Brendshëm Doug Burgum njoftoi se qeveria federale do t’i japë fund trajtimit preferencial për impiantet e energjisë së erës dhe diellit, duke i cilësuar ato si të “pabesueshme” dhe “të ndikuara nga të huajt”. Në të njëjtën linjë, Departamenti i Energjisë po shqyrton tërheqjen e zonave tokësore me potencial të lartë për zhvillimin e kësaj industrie, në favor të përdorimeve të tjera si rekreacioni dhe kullotja.

Trump ka qenë vazhdimisht kritik ndaj energjisë së erës, duke e quajtur atë “një mashtrim që nuk funksionon” gjatë konferencave të fundit me liderët evropianë në Skoci dhe Bruksel. Gjatë një vizite në fushën e tij të golfit në Skoci, ai përshkroi turbinat e erës si “përbindësha të shëmtuar” që dëmtojnë peizazhin dhe ekonominë.

Në vend të energjive të rinovueshme, presidenti republikan ka ndërmarrë hapa të shumtë për të stimuluar industrinë e naftës, gazit dhe qymyrit, përmes urdhrave ekzekutivë që lehtësojnë lejet dhe zvogëlojnë rregullat mjedisore. Këto veprime janë kritikuar ashpër nga organizatat mjedisore dhe ekspertët e klimës, që paralajmërojnë për pasojat e mëdha që sjell një rikthim te karburantet fosile në kushtet e përkeqësimit të motit ekstrem dhe ngrohjes globale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco