Të paktën 27 persona kanë humbur jetën dhe 159 janë plagosur në një nga sulmet më të rënda ruse të javëve të fundit, që ndodhi gjatë natës në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Një valë e fuqishme raketash dhe dronësh goditi qytetin, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima të shumta, mes tyre edhe fëmijë.
Në reagim ndaj sulmit të rëndë, autoritetet kanë shpallur 1 gushtin si ditë zie në Kiev. Flamujt janë ulur në gjysmë shtize në të gjitha institucionet publike.
Sipas Tymur Tkachenko, kreut të administratës ushtarake të Kievit, ndër viktimat janë tre fëmijë të vrarë dhe 12 të plagosur. Ai theksoi se “fatkeqësisht, parashikimet më të këqija për numrin e personave të bllokuar nën rrënoja janë konfirmuar”, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë ende.
Ndër viktimat është edhe togerja e policisë Liliia Stepanchuk, e cila shërbente në policinë e Kievit që nga viti 2017. Trupi i saj u nxor nga rrënojat në distriktin Sviatoshynsky, sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të Ukrainës. Tre efektivë të tjerë të policisë janë ndër të plagosurit.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, bëri me dije se 30 persona përfshirë pesë fëmijë janë ende të shtruar në spital. Ai shtoi se numri i fëmijëve të plagosur është më i larti i regjistruar në qytet që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë.
Ky sulm shënon një tjetër përshkallëzim të dhunës në kryeqytetin ukrainas dhe nënvizon koston e rëndë njerëzore të konfliktit në vazhdim.
© SYRI.net