Përpjekjet për qetësimin e përplasjes së përgjakshme mes Tajlandës dhe Kamboxhias janë vënë në pikëpyetje, pasi të dyja palët kanë vazhduar të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të arritur në Malajzi dhe që hyri në fuqi në mesnatë të së hënës. Ndërkohë që luftimet duket se janë zbehur, tensionet dhe mosbesimi vazhdojnë në terren dhe në komunikimet diplomatike.
Të dy vendet planifikuan veçmas vizita për diplomatët e huaj përgjatë kufirit për të inspektuar dëmet nga përleshjet njëjavore. Tajlanda do të organizojë një udhëtim për atashetë ushtarakë dhe median të premten, ndërsa Kamboxhia zhvilloi një vizitë të ngjashme të mërkurën dhe do të presë sërish diplomatë të huaj të premten.
Zyrtarët tajlandezë njoftuan se gjatë natës deri të enjten nuk kishte pasur përleshje të reja, megjithatë evakuimet në provincën kufitare Surin vijojnë, për shkak të pasigurisë nga municionet e pashpërthyera. Në anën tjetër të kufirit, Kamboxhia ka rikuperuar trupin e një ushtari të saj dhe kërkon kthimin e 20 të tjerëve të ndaluar nga ushtria tajlandeze.
Kryeministri kamboxhian Hun Manet ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të ushtarëve të mbajtur nga Tajlanda, ndërsa autoritetet tajlandeze kanë theksuar se do të veprojnë kur të jenë të sigurt se ushtarët nuk përbëjnë më kërcënim.
Armëpushimi u negociua nën drejtimin e kryeministrit malajzian Anwar Ibrahim, në emër të ASEAN-it, dhe u konsiderua një hap jetik drejt stabilitetit. Shtetet e Bashkuara ushtruan presion të drejtpërdrejtë, me Presidentin Donald Trump që paralajmëroi ndalimin e marrëveshjeve tregtare nëse luftimet nuk ndaleshin.
Megjithatë, akuzat e ndërsjella për shkelje të marrëveshjes kanë vijuar. Tajlanda pretendon se Kamboxhia ka kryer sulme të reja të martën dhe të mërkurën, ndërsa pala kamboxhiane i ka mohuar këto pretendime dhe ka deklaruar se dy shkelje të armëpushimit janë bërë nga pala tajlandeze.
Rritja e tensioneve që nga muaji maj, kur një ushtar kamboxhian u vra në një incident kufitar, ka kulmuar në konfrontime të dhunshme që sollën të paktën 41 viktima dhe zhvendosjen e qindra banorëve nga të dyja anët e kufirit. Shtetet e rajonit dhe aktorët ndërkombëtarë pritet të luajnë një rol kyç në ruajtjen e paqes së brishtë.
© SYRI.net