Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 14-të e protestave kundër Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Përplasje diplomatike mes Francës dhe Spanjës pas dëbimit të adoleshentëve hebrenj nga një fluturim në Valencia

Përplasje diplomatike mes Francës dhe Spanjës pas dëbimit të adoleshentëve hebrenj nga një fluturim në Valencia

18:41, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tensionet mes Parisit dhe Madridit janë rritur ndjeshëm pas një incidenti të ndodhur më 23 korrik, kur rreth 40 adoleshentë hebrenj francezë u nxorën nga një fluturim i linjës ajrore Vueling në aeroportin e Valencias. Ngjarja ka ngjallur debate të forta dhe akuza për antisemitizëm, të cilat janë hedhur poshtë si nga kompania ajrore ashtu edhe nga autoritetet spanjolle.

Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, ndezi më tej polemikat kur në një postim të fshirë më pas në platformën X, kritikoi politikanët konservatorë për “mbështetjen e fëmijëve izraelitë” dhe jo të kompanisë ajrore, duke i quajtur të pajustifikuara sulmet ndaj Vueling. Këto komente provokuan një reagim të ashpër nga qeveria franceze, e cila i denoncoi si krahasime të papranueshme mes fëmijëve hebrenj francezë dhe shtetasve izraelitë.

Ministrat francezë Benjamin Haddad dhe Aurore Bergé dënuan ashpër sjelljen e autoriteteve spanjolle dhe veçanërisht mënyrën e trajtimit të një prej shoqëruesve të rritur të grupit, i cili shihet në videot e shpërndara në rrjetet sociale teksa mbahej përtokë dhe prangohej nga policia.

Nga ana e saj, linja ajrore Vueling ka sqaruar se vendimi për largimin e të rinjve u mor për shkak të sjelljeve që cënonin sigurinë e fluturimit, përfshirë manipulimin e maskave të oksigjenit dhe jelekëve të shpëtimit, pavarësisht paralajmërimeve të ekuipazhit. Por organizatorët e kampit veror e kanë hedhur poshtë këtë version, duke e cilësuar përjashtimin si të padrejtë dhe të pabazuar.

Prindërit dhe përfaqësuesit e grupit kanë paralajmëruar ngritjen e një ankese zyrtare kundër kompanisë për “dhunë fizike e psikologjike dhe diskriminim në bazë të fesë”, ndërsa përplasja diplomatike pritet të intensifikohet në ditët në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco