Kompania Moderna do të pushojë nga puna 10% të personelit

Kompania Moderna do të pushojë nga puna 10% të personelit

18:28, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në përpjekje për të ulur kostot operacionale, kompania amerikane e bioteknologjisë Moderna ka bërë të ditur se do të shkurtojë 10% të fuqisë punëtore në nivel global, për shkak të rënies së shitjeve të vaksinës së saj kundër Covid-19.

Moderna, e cila ishte një nga kompanitë e para që lançoi vaksinë gjatë pandemisë, njoftoi se shkurtimet janë pjesë e një plani më të gjerë të shpallur në shkurt, për të reduktuar shpenzimet operacionale nga 1,4 në 1,7 miliardë dollarë deri në vitin 2027 dhe për të përshtatur strukturën e kostove me realitetet aktuale tregtare.

Sipas mesazhit të dërguar sot nga drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Stephane Bancel, i cili është siguruar nga Agjencia Franceze e Lajmeve (AFP), reduktimet në staf pritet të përfundojnë deri në fund të vitit.

Që nga sot dhe deri në fund të vitit, parashikojmë të kemi më pak se 5.000 punonjës”, tha Bancel, duke theksuar se janë bërë përpjekje për të shmangur ndikimin në vendet e punës. “Megjithatë, riorganizimi i strukturës operacionale dhe përshtatja e strukturës së kostove me realitetin e kompanisë është thelbësore, në mënyrë që të mbetemi të fokusuar dhe financiarisht të disiplinuar, ndërsa vazhdojmë të investojmë në shkencë deri në vitin 2027.”

Moderna hyri fuqishëm në treg gjatë pandemisë duke përdorur teknologjinë inovative të ARN-së lajmëtare (mRNA), së bashku me Pfizer-BioNTech. Në vitin 2020, kompania pati të ardhura prej vetëm 800 milionë dollarësh, ndërsa një vit më vonë, në kulmin e pandemisë, kjo shifër arriti në 18,34 miliardë dollarë.

Kompania me bazë në Cambridge të Massachusetts-it kishte zgjeruar ndjeshëm aktivitetin, veçanërisht në fushën e onkologjisë, duke rritur numrin e të punësuarve nga 1.300 në vitin 2020 në mbi 5.600 në vitin 2023.

Mirëpo, me ‘normalizimin’ e situatës së pandemisë dhe rënien e kërkesës për vaksina, të ardhurat e Moderna-s ranë ndjeshëm në vitin 2023, duke zbritur në 3,2 miliardë dollarë.

Paralelisht me njoftimin për shkurtimet, aksionet e kompanisë pësuan rënie. Para hapjes së bursës në Nju Jork, ato shënonin rënie prej 1,9%, ndërsa pas nisjes së tregtimit, rënia u thellua në 2,64%, me çmimin e aksionit në 31,30 dollarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco