Rafineritë shtetërore të Indisë ndalojnë blerjen e naftës ruse

Rafineritë shtetërore të Indisë ndalojnë blerjen e naftës ruse

18:06, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rafineritë shtetërore të Indisë kanë ndërprerë blerjet e naftës së papërpunuar ruse javën e kaluar, pasi zbritjet u ngushtuan ndjeshëm këtë muaj, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi vendet që të mos blejnë më naftë nga Moska, raportojnë burime nga sektori për agjencinë Reuters.

India, si importuesi i tretë më i madh i naftës në botë dhe blerësi kryesor i naftës së papërpunuar ruse që transportohet nëpërmjet detit, është një burim i rëndësishëm të ardhurash për Rusinë, e cila ndodhet në vitin e katërt të luftës në Ukrainë.

Sipas katër burimeve të afërta me planet e furnizimit, rafineritë shtetërore si Indian Oil Corp (IOC), Hindustan Petroleum Corp (HPCL), Bharat Petroleum Corp (BPCL) dhe Mangalore Refinery and Petrochemicals Ltd (MRPL) nuk kanë kërkuar furnizime të reja me naftë të papërpunuar ruse gjatë javës së fundit.

As rafineritë shtetërore dhe as Ministria Federale e Naftës nuk i janë përgjigjur kërkesës së agjencisë Reuters për koment mbi këtë çështje.

Këto kompani, që historikisht kanë blerë në mënyrë të vazhdueshme naftë ruse, tashmë janë drejtuar në tregjet 'spot' për të kompensuar furnizimet, duke blerë kryesisht naftë nga Lindja e Mesme (si ajo Murban nga Abu Dhabi) dhe nga Afrika Perëndimore.

Ndërkohë, rafineritë private Reliance Industries dhe Nayara Energy, të cilat kanë aksionerë të mëdhenj nga Rusia përfshirë gjigandin energjetik Rosneft, kanë marrëveshje tregtare afatgjata me Moskën dhe mbeten blerësit më të mëdhenj të naftës ruse në Indi.

Më 14 korrik, Trump kërcënoi me tarifa doganore 100% për vendet që vijojnë të blejnë naftë nga Rusia, nëse Moska nuk arrin një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Të hënën, ai e shkurtoi afatin që i kishte dhënë Rusisë për një armëpushim nga 50 në vetëm 10–12 ditë dhe paralajmëroi vendosjen e sanksioneve sekondare ndaj blerësve të produkteve ruse.

Ndërkohë, zbritjet për naftën ruse kanë rënë në nivelet më të ulëta që nga viti 2022, për shkak të eksportit më të ulët rus dhe kërkesës së qëndrueshme në treg. Sipas burimeve, rafineritë indiane janë gjithashtu të shqetësuara për ndikimin e sanksioneve të reja të Bashkimit Evropian që mund të pengojnë tregtinë ndërkombëtare dhe financimin, edhe në rastet kur respektohet çmimi tavan për naftën ruse.

India ka përsëritur qëndrimin e saj kundër sanksioneve të njëanshme, duke theksuar se vendimet e tilla nuk i detyrojnë vendet e treta.

Në një tjetër zhvillim, Trump njoftoi të mërkurën vendosjen e tarifave 25% për produktet që importohen nga India, duke nisur nga 1 gushti, por theksoi se janë në vijim bisedimet mes dy vendeve.

Pavarësisht ndalimeve shtetërore, rafineritë private vazhdojnë të furnizohen. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, ato kanë blerë rreth 60% të gjithë naftës ruse të importuar, me një mesatare prej 1.8 milionë fuçi në ditë, ndërsa rafineritë shtetërore që kontrollojnë mbi 60% të kapacitetit total ditor prej 5.2 milionë fuçi, blenë pjesën tjetër.

Në një veprim të pazakontë, Rafineria Reliance bleu këtë muaj naftë të papërpunuar Murban nga Abu Dhabi, e cila pritet të ngarkohet në tetor, sipas tregtarëve të industrisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco