Një ngjarje tragjike raportohet se ka ndodhur në Katalonjë, ku si pasojë dy të mitur kanë humbur jetën. Sipas mediave të huaja dy vëllezër britanikë, të moshës 11 dhe 13 vjeç, vdiqën të martën (29/7) teksa notonin në një plazh në Tarragona, Katalonjë. Fëmijët u rrëmbyen nga valët dhe nuk mundën të ktheheshin në breg.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Katalonjës, dy djemtë hynë në det rreth orës 21:00, në një zonë shkëmbore rreth 100 metra larg bregdetit. Valët ishin të forta dhe duket se ata nuk mundën të ktheheshin në breg. Ekipet e shpëtimit mbërritën shpejt në vendngjarje, por nuk mundën t'i ringjallnin dy fëmijët.
Sipas Guardia-s, tragjedia familjare është tronditëse, pasi babai i fëmijëve është futur në det për t'i ndihmuar, por në fund u desh të shpëtohej vetë, pasi valët ishin të forta. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Britanike konfirmoi vdekjen e fëmijëve dhe tha: "Ne mbështesim familjen e dy fëmijëve britanikë që humbën jetën në Spanjë dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale".
Tragjedia ndodhi vetëm disa orë pasi një turist 54-vjeçar gjerman u mbyt në plazhin aty pranë të Cambrils. Që nga 15 qershori, 16 mbytje janë regjistruar në plazhet në Katalonjë pesë më shumë se në të njëjtën kohë të vitit të kaluar.
© SYRI.net