Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha paraqitet në SPAK

Nga fjalët te taktikat: Trump ndryshon strategjinë ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës

Nga fjalët te taktikat: Trump ndryshon strategjinë ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës

10:05, 30/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qasja e presidentit Donald Trump ndaj presidentit rus Vladimir Putin ndryshoi ndjeshëm këtë muaj, kur për herë të parë që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm që konfirmoi mbështetjen për Ukrainën në një marrëveshje armësh të NATO-s, por i dha edhe një ultimatum kreut të Kremlinit.

Mesazhi ishte i qartë: hyni në një marrëveshje paqeje me Ukrainën ose përballuni me sanksione të ashpra ndërkombëtare ndaj eksportit më të rëndësishëm rus, naftës.

Ndërsa ky veprim është përshëndetur nga disa, është vënë në pikëpyetje nga të tjerë, të cilët dyshojnë nëse do të jetë i mjaftueshëm për të frenuar ambiciet luftarake të Putinit në Ukrainë. Një ekspert sigurie argumenton se plani mund të funksionojë, por do të kërkojë vite që të japë efekt.

“Mendoj se do të jetë efektiv dhe se ai do të qëndrojë i përkushtuar ndaj kësaj strategjie. Ai do të vazhdojë ta shtyjë Putinin të rikthehet në tryezën e bisedimeve e të negociojë në mirëbesim, jo thjesht të ulet aty dhe të japë premtime që rusët s’kanë ndër mend t’i mbajnë,” tha Fred Fleitz, që ka shërbyer si zëvendësndihmës i Trump-it dhe shef kabineti në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të parë të tij, për Fox News Digital.

“Kjo është diçka që Trump nuk do ta tolerojë,” shtoi Fleitz. “Jemi vetëm në gjashtëmujorin e parë të presidencës Trump. Zgjidhja mund të kërkojë disa vite.”

Por Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do t’i jepte fund luftërave në Ukrainë dhe Gaza, diçka që ka rezultuar më e ndërlikuar se sa e kishte paraqitur në fjalimet elektorale. Dhe jo të gjithë në Partinë Republikane e mbështesin qasjen e tij në raport me Europën, përfshirë një nga mbështetëset më të forta të Trump-it, përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene.

“Nuk duam të japim apo të shesim armë për Ukrainën apo të përfshihemi në ndonjë luftë të huaj, apo të vazhdojmë rrjedhën e pafundme të ndihmës së jashtme,” shkroi Greene në X. “Duam të zgjidhim problemet tona që po mundojnë qytetarët tanë.”

Fleitz përmendi vendimin e Trump-it për të goditur drejtpërdrejt Iranin si dëshmi të aftësisë së tij për të qenë fleksibël si udhëheqës.

“Ai pa informacionet e inteligjencës, kuptoi se gjërat po bëheshin shumë të rrezikshme dhe vendosi të rregullonte politikën, që në fillim kishte qenë diplomatike,” tha Fleitz.

“Por Trump gjithashtu theksoi diçka shumë të rëndësishme. U tha mbështetësve të tij: ‘Unë e kam krijuar konceptin e qasjes ‘Amerika e para’ për sigurinë kombëtare të SHBA, dhe unë vendos çfarë përfshihet në të,’” shtoi ai. “Ai është padroni i kësaj qasjeje dhe do të bëjë rregullime, nëse është e nevojshme.”

Megjithëse Trump kishte deklaruar qartë gjatë fushatës se dëshironte që Europa të kishte rol udhëheqës në luftën në Ukrainë, javën e kaluar ai sfidoi një nga argumentet kryesore të disa zërave brenda partisë së tij, përfshirë nënpresidentin JD Vance.

Vance është shprehur kundër furnizimit të Ukrainës me armë dhe në një artikull vitin e kaluar shkruante: “Nuk është vetëm çështje financiare. Na mungon kapaciteti për të prodhuar sasinë e armëve që Ukrainës i duhen për të fituar luftën.”

Trump ra dakord që SHBA t'i shesë armë të sofistikuara vendeve anëtare të NATO-s, të cilat më pas do t’ia dorëzojnë Ukrainës.

“Duam të mbrojmë vendin tonë. Por, në fund të fundit, një Europë e fortë është gjë shumë e mirë,” tha Trump, duke qëndruar pranë Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Ekspertët e sigurisë argumentojnë gjerësisht se e ardhmja e aftësisë së Ukrainës për të negociuar, dhe përfundimi i luftës, do të përcaktohet në fushën e betejës.

Të enjten, John Hardie, zëvendësdrejtor i Programit për Rusinë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), u tha ligjvënësve amerikanë në Komisionin e Helsinkit (Komisioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë), në një seancë informimi të sigurisë, se Ukrainës i duhen kapacitete për goditje në distancë të gjatë që të mund të sulmojë fabrikat ruse të raketave dhe dronëve.

“Ukraina nuk duhet të kufizohet vetëm me rrëzimin e ‘shigjetave’,” tha Hardie. “Qasja optimale do të kombinonte ofensivën dhe mbrojtjen. Ukraina duhet të jetë në gjendje të godasë ‘shigjetarin’ dhe fabrikat që prodhojnë ‘shigjetat’.”

“Putini do ta vazhdojë këtë luftë të paprovokuar për aq kohë sa të besojë se ajo është e qëndrueshme dhe mund t’i çojë drejt qëllimeve të tij,” argumentoi Hardie. “Duke forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe duke e bërë të mundur që ajo t’i shkaktojë dëme gjithnjë e më të mëdha makinës ushtarake ruse, si dhe duke ushtruar presion mbi ekonominë ruse dhe duke e konsumuar fuqinë e saj ofensive në terren, mund të arrijmë ta ndryshojmë këtë përllogaritje.”

Por Fleitz, i cili është zëvendëskryetar i Qendrës për Sigurinë Amerikane në Institutin e Politikës "Amerika e para", tha se beson se kjo luftë do të përfundojë vetëm kur të arrihet një marrëveshje armëpushimi.

“Mendoj se do të ketë një armëpushim ku të dyja palët do të bien dakord të ndalojnë luftimet,” tha Fleitz. “Në një moment, do të gjendet një vijë ku të dyja vendet do të bien dakord të ndalojnë.”

Në fund, ai beson se kjo do të ndodhë duke u arritur një marrëveshje që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO për një periudhë të caktuar kohe, por me mirëkuptimin që Moska ta dijë se Kievi do të jetë i armatosur rëndë nga aleatët perëndimorë.

“Mendoj se ka një mënyrë për ta bërë këtë, ku Rusia të mos shqetësohet për ndikimin në rritje të Perëndimit në Ukrainë, dhe Ukraina të mos ketë frikë se Rusia do të pushtojë sapo të shpallet armëpushimi ose marrëveshja,” shtoi ai. “Ndoshta kjo është një ëndërr e parealizueshme, por mendoj se është mënyra më realiste për të ndalur luftën.”

“E dimë nga historia se konflikte të tilla marrin kohë; edhe paqja kërkon kohë,” tha Fleitz. “Besoj se me kalimin e kohës, Trump do të ketë ndikim mbi Putinin.” / Fox News - Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco