Duke mbajtur valixhe të mëdha dhe çanta me sende personale, familjet sudaneze u mblodhën në stacionin kryesor hekurudhor të Kajros, me shpresën për të rifilluar jetën në një Sudan më të qëndrueshëm. Ata janë pjesë e mijëra të zhvendosurve që po kthehen nga Egjipti në zonat e rimarra nga ushtria sudaneze, pas muajsh të tërë përleshjesh me forcat paraushtarake të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
“Na mungon çdo cep i Sudanit. Jam shumë i lumtur që po kthehem,” tha Malaz Atef për agjencinë Reuters, teksa priste trenin falas për në Asuan. Prej aty, ai dhe shumë të tjerë do të udhëtojnë me autobusë drejt Khartumit, kryeqytetit që po përpiqet të ringrihet mes rrënojave.
Që nga shpërthimi i luftës në prill të vitit 2023, mbi 4 milionë sudanezë janë larguar nga vendi, përfshirë më shumë se 1.5 milionë që kanë kërkuar strehim në Egjipt, sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Vetëm këtë vit, më shumë se 190,000 njerëz janë kthyer në Sudan nga Egjipti – pesë herë më shumë se i gjithë viti 2024.
Në një vizitë simbolike në stacionin hekurudhor, ambasadori i Sudanit në Egjipt, Emad el-Din Adawy, e përshkroi këtë valë kthimesh si “një fazë të rëndësishme për rindërtimin dhe rikthimin e stabilitetit”. Megjithatë, ndonëse Khartumi po përjeton një qetësi relative, luftimet midis ushtrisë dhe RSF-së vazhdojnë në Kordofan dhe Darfur, veçanërisht në qytetin strategjik al-Fashir.
Lufta, që shpërtheu si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi kalimin në një qeverisje civile, ka zhvendosur më shumë se 12 milionë njerëz dhe ka çuar gjysmën e popullsisë në uri të thellë. Ndërsa kthimi i refugjatëve sjell një rreze shprese, rruga drejt paqes së qëndrueshme në Sudan mbetet e gjatë dhe e pasigurt.
© SYRI.net