Aleatët e ish-presidentit Donald Trump u hodhën në mbrojtje të tij pasi një raport i Wall Street Journal (WSJ) pretendoi se ai kishte dërguar një letër me përmbajtje provokuese për ditëlindjen e Jeffrey Epstein-it, i akuzuar për trafik seksual.
Sipas WSJ-së, bashkëpunëtorja e Epstein-it, Ghislaine Maxwell, kishte mbledhur letra nga Trump dhe dhjetëra persona të tjerë në vitin 2003. Letra e Trump-it, që mendohet të jetë shqyrtuar si pjesë e hetimeve penale për Epstein-in, përmban disa rreshta tekst të shkruar me makinë shkrimi, të rrethuar nga një vizatim i një gruaje të zhveshur, i bërë me marker të trashë.
“Gëzuar ditëlindjen dhe çdo ditë qoftë një sekret tjetër i mrekullueshëm,” thuhet në letër sipas WSJ-së.
Trump reagoi me zemërim ndaj artikullit, duke e quajtur atë “të rremë, keqdashës dhe shpifës”, dhe premtoi në rrjetin Truth Social se do të padisë WSJ-në dhe kompaninë e saj mëmë, News Corp, në pronësi të Rupert Murdoch-ut.
Ish-presidenti, i cili po përballet me presion nga mbështetësit për të detyruar Departamentin e Drejtësisë të publikojë materialet nga hetimi për Epstein-in, ka akuzuar kundërshtarët politikë për ringjalljen e çështjes.
Figurat kryesore të lëvizjes MAGA nxituan ta mbrojnë Trump-in. Zëvendëspresidenti JD Vance shkroi në X: “Më falni për gjuhën, por kjo histori është budallallëk me okë. Wall Street Journal duhet të ketë turp që e botoi.” Ai shtoi: “Ku është kjo letër? A do të habiteshit të mësonit se nuk na e treguan kurrë para se ta botonin? A beson vërtet dikush se kjo tingëllon si Trump?”
Edhe Elon Musk, megjithëse marrëdhëniet e tij me Trump-in janë ftohur, tha se letra “nuk tingëllon si diçka që do të thoshte Trump” dhe e quajti “të dyshimtë.”
Figurat e tjera të krahut të djathtë si Charlie Kirk, Jack Posobiec dhe Laura Loomer e konsideruan letrën, e cila nuk u botua e plotë nga WSJ-a, si të fabrikuar. Loomer deklaroi: “Kjo letër për ditëlindjen e Epstein-it është shpifje. Është totalisht e sajuar. Kush e njeh vërtet Trump-in, e di që ai nuk shkruan letra me makinë.”
Kohët e fundit, Trump është kritikuar edhe nga mbështetësit e tij për mënyrën si administrata e tij e trajtoi çështjen Epstein. Pasi premtoi zbulime tronditëse nga dosjet e fshehta që supozohej se përmbanin një “listë klientësh” globalë, Trump dhe zyrtarët e tij thanë se nuk ka më asgjë për të zbuluar. Madje, ai i quajti “të dobët” disa nga mbështetësit e vet që besojnë në atë që e quajti “mashtrimi Epstein”.
FBI dhe Departamenti i Drejtësisë raportuan javën e kaluar se nuk ekziston asnjë listë klientësh dhe konfirmuan se vdekja e Epstein-it në burg federal në vitin 2019 ishte vetëvrasje. / Politico - Syri.net
© SYRI.net