Gruaja më e rrezikshme në botë

Gruaja më e rrezikshme në botë

14:43, 29/03/2024
A+ Aa A-

Duhet shumë për t'u quajtur "Gruaja më e rrezikshme në botë". Duhet të jetosh një jetë që ka shumë dritëhije. Je vigjilente, përpiqesh të qëndrosh një hap para njerëzve që të ndjekin këmba-këmbës - shtypit, policëve, viktimave të tua. Kjo ishte jeta për Mary Ann Duignan-in, e njohur ndryshe si May Churchill Sharpe, ose "Chicago May", e cila veproi nga Europa në Amerikë dhe u kthye përsëri si një nga kriminelet më famëkeqe të fillimit të viteve 1900. Siç shkruan historiani Laurence William White, "duke bashkuar prostitucionin me grabitjen dhe shantazhin, Chicago May u bë shpejt një figurë e njohur mes kumarxhinjve, gangsterëve dhe kurtezanëve", shkruan BigThink.com, raporton Syri.net.

Duignan lindi në Irlandë në vitin 1871. Por jeta përtej oqeanit po e thërriste dhe ajo u përgjigj duke u larguar nga shtëpia në vitin 1890. Ky nuk ishte një vendim i pazakontë, shpjegon Lauren Byrne në rishikimin e saj të biografisë së Nuala O'Faolain për Duignan-in. Gjysma e popullsisë së Irlandës pas urisë po emigronte, por Duignan i bëri gjërat pak më ndryshe.

"May u largua nga shtëpia në mes të natës, duke marrë me vete kursimet e jetës së familjes së saj," vëren Byrne. Dhe ndryshe nga emigrantët e tjerë europianë, Duignan e bëri atë udhëtim transatlantik në luks, duke përdorur fitimet e saj të vjedhura për të udhëtuar në klasin e parë. "Ajo e shijonte masakrën shoqërore që shkaktonte," shkruan Byrne, "një fshatare mes zotërinjve".

Pas një ndalese në Nju Jork, Duignan mori rrugën për në Nebraska, ku u takua dhe u martua me Dal Churchill-in, "e para nga disa martesat e saj jetëshkurtra", shpjegon Byrne. Kur z. Churchill u vra, ajo u zhvendos në Çikago, duke marrë nofkën "Chicago May".

Qyteti gumëzhinte nga emocionet e Panairit Botëror të 1893-shit. Edhe pse ekspozita premtoi të sillte punë të reja dhe vitalitet në një zonë që po përjetonte papunësi masive dhe të pastrehë, nuk ishte një premtim që mund ta mbante. Siç shkruan Byrne, "Kur u shpallën njëqind vende pune për gratë në panairin botëror, pati 10,000 aplikante". Thjesht kishte më shumë nevojë sesa mundësi. Dhe May, si shumë gra në qytet, iu drejtua punës së seksit për të siguruar bukën e gojës. Edhe pse shpesh bënte seks me klientët, ajo kishte edhe një ngutje tjetër.

"Ajo preferoi ta quante veten një "vjedull", shpjegon Byrne, "një grua mashtruese që josh viktimën e saj me seks, më pas e grabit atë para se ajo të përfundojë pjesën e saj të ujdisë."

Më vonë ajo u kthye në Nju Jork, ku siguroi jetesën e saj duke vazhduar me vjedhje dhe si një vajzë kori. Nuk ka shumë referenca se sa e mirë ishte ajo në pjesën e korit, por aftësitë e saj prej "vjedulle" vazhduan të rriteshin, plus ajo shtoi shantazhin në repertorin e saj. Siç shkruan White, "duke përdorur letra ose fotografi komprometuese; viktimat bënin pagesa të konsiderueshme dhe të përsëritura për të shmangur ekspozimin ose zemërimin e 'burrit të saj të tërbuar' fiktiv." Ajo ia doli të bënte mashtrime si në Amerikën e Veriut ashtu edhe në atë të Jugut.

Këto të këqija i mundësonin asaj të bënte një jetë luksoze, me një gazetë që e përshkruante atë si një vajzë, "unazat e diamantit të së cilës ishin aq të mëdha sa arrat". Ajo bëri përpara në qytet duke magjepsur ose korruptuar për vite me radhë. Por sado kriminel i zoti je, duhet të dish kur të largohesh nga skena. Dhe Chicago May e dinte se koha e saj kishte mbaruar, duke ikur në Europë kur policët iu afruan shumë.

Në Londër ajo u takua me Eddie Guerin-in; ata grabitën së bashku një zyrë të American Express në Paris. Ndonëse arriti të shkonte në Londër para se të arrestohej, ajo "me besnikëri, ose marrëzi" u kthye në Francë, "dhe për telashet e saj ajo u dnënua me pesë vjet në burgun e Montpelier-it", shkruan Byrne.

Por ajo nuk qëndroi gjatë në burg. Siç shpjegon White, May "joshi dhe shantazhoi doktorin e burgut për të nënshkruar një certifikatë mjekësore për lirimin e saj" në gjysmë të dënimit të saj. Ajo u rikthye në gjykatë pas një tentative për të vrarë Guerin-in, duke marrë një tjetër dënim në burg.

Megjithëse May përfundimisht u kthye në Amerikë, nuk ishte jeta magjepsëse që ajo kishte njohur. Siç shkruan White, "shëndetligë dhe e alkoolizuar, ajo nuk pati sukses dhe kishte fërkime të shpeshta me ligjin". Ajo vdiq në vitin 1929 pas komplikimeve nga një operacion.

Është e lehtë ta shikosh atë si një grua të rrezikshme dhe të pakujdesshme - madje ajo shkroi se "krimi nuk më ka shkuar kurrë në mendje si mëkat" - por ka shumë nga jeta e saj që i flet kohës.

"Opsionet për një grua fshatare në Irlandën e shekullit XIX ishin martesa ose emigracioni," shkruan Byrne. "Motononia e rëndë e punëve të vështira shtëpiake nuk ishte aspak një propozim tërheqës për dikë që kishte lundruar përtej Atlantikut me shkëlqimin e klasit të parë."

Jeta dhe motivet e May-it mund të jenë gjithmonë një mister. Siç mendon Byrne, "a mund ta kuptojmë ndonjëherë të kaluarën, apo thjesht e ripunojmë pafundësisht për të na përshtatur në të tashmen?"

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco