A ishte punë me mend që djemtë e García Márquez të botonin romanin që babai i tyre nuk donte?!

A ishte punë me mend që djemtë e García Márquez të botonin romanin që babai i tyre nuk donte?!

14:38, 13/03/2024
A+ Aa A-

Romani i papërfunduar i Gabriel García Márquez u botua nga djemtë e tij kundër dëshirës së nobelistit.

Dy djemtë e Gabriel García Márquez-it shpërfillën dëshirën e babait të tyre për të mos botuar pas vdekjes veprën e tij të fundit artistike, por duke gjykuar nga reagimi që erdhi ndaj librit "Shihemi në gusht", ata ndoshta duhet ta kishin dëgjuar.

Komentet mbi librin, i cili u botua dhjetë vjet pas vdekjes së García Márquez në 2014, nuk kanë qenë aspak të sjellshme, ndërsa disa të tjerët thanë se kishte disa vlera.

Megjithatë, përkundër shtypit përgjithësisht të keq, ky episod letrar ka ngritur pyetjen nëse veprat e çmuara të shkrimtarëve të njohur duhet të shohin dritën e ditës, qoftë edhe kundër dëshirës së tyre.

"Shihemi në gusht" tregon historinë e një gruaje të moshës së mesme, e cila çdo 16 gusht shkon me traget për të vizituar varrin e nënës së saj, ku merr një dashnor të ri, pavarësisht se është e martuar e lumtur.

Duke justifikuar vendimin e tyre për ta botuar, njeri djalë i García Márquez, Gonzalo, i tha BBC-së se babai i tij "nuk ishte në gjendje të gjykonte veprën e tij pasi ai mund të shihte vetëm të metat, por jo gjërat interesante që ishin aty".

García Márquez vuante nga demenca senile para vdekjes së tij në moshën 87-vjeçare në Mexico City.

I biri Gonzalo tha se atij nuk iu "duk aq katastrofik sa e kishte gjykuar Gabo" dhe se ishte një shtesë e vlefshme për punën e tij sepse  shfaqi  një anë të re dhe ishte "unike".

Shumë kritikë nuk kanë qenë aq bujarë.

Neë York Times nuhati se libri i mjeshtrit të ndjerë kolumbian dhe laureatit të Nobelit ishte një zhgënjim.

"Do të ishte e vështirë të imagjinohej një lamtumirë më e pakënaqshme nga autori i "Njëqind vjet vetmi", shkroi Michael Greenberg.

"Njëqind vjet vetmi" është romani i vitit 1967 që i prezantoi botës,  letërsinë e Amerikës Latine. Në të kundërt, prurja  e fundit e García Márquez-it është "vështirë se e mjaftueshme që ajo të quhet një novelë, aq më pak një roman i përfunduar", shkroi Greenburg.

Në Spanjë, ku García Marquez kaloi disa vite formimi kur jetoi në Barcelonë në vitet 1970, kritikët ishin pak më të sjellshëm.

Nadal Suau, duke shkruar në gazetën El País, shkroi: "Ka vlera, por nuk këshillohet të mashtrohesh për dimensionet e tij të vërteta: ato janë të vogla".

E kjo duket se është një mënyrë tjetër për të thënë se libri ka pak cilësi.

Image

Mercedes Barcha, e veja e Gabriel Garcia Marquez me djemtë e saj: majtas Gonzalo dhe djathtas, Rodrigo.
 
Mosbindje ndaj dëshirave?

Ashtu si García Márquez, një sërë të mëdhenjsh të letërsisë kanë urdhëruar që disa nga veprat e tyre të shkatërrohen para vdekjes.

Megjithatë, kur të afërmit e tyre nuk janë bindur, ndonjëherë ka qenë në dobi të mbarë botës.

Para se autori Franz Kafka të vdiste nga tuberkulozi në vitin 1924, ai i tha mikut Max Brod që t'i digjte të gjitha veprat e tij.

Duke mos marrë parasysh dëshirat e mikut të tij, Brod më vonë botoi koleksionin e tij të veprave, duke përfshirë "Gjyqin", "Kështjellën" dhe "Amerikën".

"Gjyqi" njihet gjerësisht si një klasik, që përshkruan luftën e individit kundër shtetit të fuqishëm.

Sipas legjendës, poeti romak Virgjili kërkoi që të digjeshin rrotullat në të cilat ai shkroi eposin e tij "Eneida", sepse kishte frikë se nuk do të ishte në gjendje ta përfundonte veprën para vdekjes së tij.

Poema epike është një kritikë ndaj qytetërimit perëndimor dhe tipareve të tij më të këqija si dhuna, shovinizmi dhe dëshira perandorake. Libri konsiderohet ende një klasik.

Vladimir Nabokov, shkrimtari i "Lolitës", i kërkoi gruas së tij që të shkatërronte romanin e tij të fundit, "Origjinali i Laurës", nëse ai nuk jetonte sa për ta përfunduar atë.

Në vitin 2009, tridhjetë vjet pas vdekjes së Nabokovit, djali i tij publikoi veprën e papërfunduar, e cila ishte shkruar me laps në kartat e treguesve.

Këto episode dëshmojnë, ndoshta, se dëshirat e shkrimtarëve të mëdhenj nuk duhen respektuar gjithmonë.

Çfarë do të ishte bota pa këto vepra të Kafkës dhe Virgjilit?

Ndoshta ngre një pyetje më të gjerë që shkon përtej të mëdhenjve të letërsisë. Sa shpesh ne të vdekshmit vendosim të shpërfillim dëshirat e të dashurve tanë në shtratin e vdekjes?

Kjo është e vështirë të dihet, por një gjë që është interesante është pse mund ta bëjmë këtë?

U sugjerua se dy djemtë e García Márquez mund të kishin zgjedhur të botonin "Shihemi në gusht" nga dashuria për babanë e tyre, ndoshta duke pasur parasysh se libri ishte më i mirë se sa ishte në të vërtetë.

Sigurisht, reja e pikëllimit shpesh errëson gjykimin e mirë se përse të afërmit tanë lanë porosi shprehimisht për atë që bënë ose nuk donin të ndodhte diçka./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco