Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Ja ç'do të thotë për kompaninë e tij vendimi për mashtrim ku Trump duhet të paguajë 355 milionë dollarë

Ja ç'do të thotë për kompaninë e tij vendimi për mashtrim ku Trump duhet të paguajë 355 milionë dollarë

14:14, 17/02/2024
A+ Aa A-

Një gjykatë e Nju Jorkut i dha një goditje të rëndë të premten portofolit të Donald Trump-it duke urdhëruar manjatin e pasurive të paluajtshme të paguante rreth 355 milionë dollarë pasi e shpalli fajtor për fryrjen e pasurisë së tij me miliarda dollarë në vit për të marrë kushte më të mira kredie dhe sigurimi.

Por nuk ka gjasa që emri i Trump-it të fshihet nga horizonti i Nju Jorkut pasi gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Manhatanit, Arthur Engoron refuzoi kërkesën e prokurores së përgjithshme të Nju Jorkut për ta ndaluar atë përgjithmonë nga të bërit biznes në shtetin ku ai fitoi famë.

Ja çfarë do të thotë vendimi për perandorinë e pasurive të paluajtshme të Trump-it, kompaninë e familjes dhe portofolin e tij:

Ç'do të thotë vendimi për perandorinë e pasurive të paluajtshme të Trump-it në Nju Jork?

Para gjyqit, gjykatësi i kishte hequr Trump-it licencën e biznesit për Organizatën Trump – duke dhënë atë që avokatët e përshkruan si "dënim me vdekje të korporatës" – pasi e shpalli atë përgjegjës për akuzën për mashtrim nga prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James.

Por në vendimin e së premtes, Engoron i riktheu "certifikatat e biznesit" Trump-it - dhe ia la në dorë një vëzhgueseje të palës së tretë për të mbikëqyrur asetet e çmuara të ish-presidentit, si Kulla Trump në Midtown dhe pronat e tjera ikonike të Nju Jorkut.

"Ky është një ndryshim i plotë nga vendimi i fundit dhe është shumë më i pëlqyeshëm për Trump-in," tha avokati i pasurive të paluajtshme Adam Leitman Bailey, i cili ka paditur Trump-in në të shkuarën.

"Ai kaloi nga urdhërimi i Trump-it praktikisht për të shitur të gjitha asetet e tij në Nju Jork brenda një kohe të shkurtër, në thjesht ngarkimin e një vëzhgueseje që të mbikëqyrë gjërat pa i dhënë udhëzime se çfarë duhet të bëjë", shtoi Leitman Bailey.

Vendimi gjithashtu e ndalon Trump-in që të jetë drejtor ekzekutiv i Organizatës Trump - ose të mbajë ndonjë post të lartë biznesi në shtet - për tre vjet, por ish-presidenti mund të emërojë dikë tjetër për të drejtuar kompaninë gjatë kësaj kohe dhe aktiviteti mund të vazhdojë në New York.

Si do të ndikojë vendimi në kompaninë me emrin e Trump-it?

Vendimi krijon më shumë dhimbje koke të mundshme për biznesin familjar të Trump-it duke "rritur" rolin e ish-gjyqtares federale Barbara Jones për të mbajtur nën vëzhgim Organizatën Trump nën emrin "vëzhguese e pavarur".

Kompanisë së pasurive të patundshme iu kërkua të tregonte lëvizjet e mëdha financiare për Jones-in, dhe Engoron të premten ia zgjati rolin e saj për jo më pak se tre vite të tjera.

Jones duhet të shpjegojë gjithashtu në dokumentet e gjykatës që duhet të dalin brenda 30 ditëve se çfarë "autoriteti" ose kompetencash specifike do t'i nevojiten asaj për të krijuar një "vëzhgim të zgjeruar" të kompanisë së Trump-it.

Trump duhet edhe të caktojë një zyrtar të ri të pavarur "përputhshmërie" - me shpenzimet e tij - për të siguruar që biznesi të ndjekë rregullat e raportimit financiar dhe të kontabilitetit, thuhet në vendim.

A do ta falimentojë vendimi Trump-in?

Dhimbja më e madhe e kokës me të cilën Trump-i ka të ngjarë të përballet menjëherë është të gjejë një obligacion sigurie për të mbuluar dënimin prej 355 milionë dollarësh – plus një normë të madhe interesi prej 9% – ndërkohë që apeli i tij i pritshëm kalon nëpër gjykatat e apelit të Nju Jorkut.

Shumica e kompanive të obligacioneve do të kërkojnë që Trump-i të paguajë rreth 10% të gjobës në para dhe më pas të vendosë disa nga pronat e tij si kolateral për të mbuluar pjesën tjetër të obligacionit, thanë avokatët për The Post.

Ish-presidenti ose mund të paguajë vetë të gjithë shumë e madhe, ose të gjejë një dashamirës të pasur për të paguar në emër të tij.

Nëse Trump do të mund ta realizonte këtë, do të vinte në provë mburrjet e tij se është një multi-miliarder me qindra fluks miliona dollarësh.

"Nëse do të besonim pretendimet e Trump-it për pasurinë e tij, pagesa e një shume të këtyre përmasave (plus interesin) ndërkohë që pritet apeli, nuk duhet të jetë problem për të, nga pikëpamja financiare", tha avokatja civile e Nju Jorkut, Melissa Levin për The Post javën e shkuar.

"Sidoqoftë, nëse marrim parasysh shifrat dhe faktet aktuale se sa vlen ai me të vërtetë dhe që ne i kemi ditur," shtoi Levini, "kjo mund të jetë një goditje e madhe për qëndrueshmërinë e biznesit të tij dhe stabilitetin e tij financiar personal."

Sa vlen Trump-i?

Një dokument i Organizatës Trump i vitit 2021 që u përdor si provë gjatë gjyqit për mashtrim, pretendonte se Trump-i kishte afër 293.8 milionë dollarë "para kesh dhe ekuivalente parash kesh" në dispozicion - dhe një vlerë totale neto prej 4.5 miliardë dollarësh - megjithëse zyra e prokurores së përgjithshme e quajti atë shifër të falsifikuar. Trump do të marrë shumë nga paratë që fiton nëse një gjykatë apeli ul shumën e gjobave që janë urdhëruar nga Engoroni.

Por manjati i pronave ka të ngjarë të paguajë një tarifë shumë miliona dollarëshe, të pakthyeshme, nga kompania e obligacioneve, thanë avokatët.

Si do të funksionojë apeli i mundshëm i Trump-it ndaj vendimit?

Ekipi ligjor i Trump-it ka njoftuar tashmë planet për të apeluar vendimin e Engoronit - dhe mund të duhen disa vite që çështja të kalojë nëpër gjykata.

Së pari, avokatët e Trump-it do të bënin një apel në Departamentin e Parë të Divizionit të Apelit të shtetit dhe çështja përfundimisht do të dëgjohej nga Gjykata e Apelit Shtetëror në Albany.

Trump mund të dëshirojë të shtojë dikë në ekipin e tij ligjor që është më i aftë për botën bizantine të ligjit të pasurive të paluajtshme në Nju Jork sesa lista e tij aktuale e avokatëve, tha avokati veteran i Nju Jorkut, Ron Kuby.

"Ekipi aktual ligjor i Trump-it është tejet i papërgatitur për t'u marrë me procesin jashtëzakonisht kompleks të apelimit," tha Kuby për The Post.

"Prokuroria e Përgjithshme ka shumë avokatë që dinë saktësisht se si ta drejtojnë këtë proces. Ekipi i Trump-it nuk ka asnjë", shtoi ai.

Trump u përfaqësua në gjyq nga Chris Kise – i cili ka gjykuar kryesisht çështje në Florida gjatë karrierës së tij prej shumë dekadash – dhe Alina Habba, e cila ka pasur një rritje të shpejtë në famë pasi iu bashkua ekipit ligjor të Trump-it në vitin 2021, por është relativisht e re për çështjet e profilit të lartë.

Çfarë vjen më pas për Trump-in pas vendimit për të paguar 355 milionë dollarë?

Pagesa nuk është i vetmi dënim i rëndë që Trump-i është urdhëruar të paguajë.

Një juri federale në Manhatan e urdhëroi atë muajin e shkuar të paguante 83.3 milionë dollarë për shpifje ndaj gazetares së rubrikës së këshillave E. Jean Carroll, të cilën një juri e veçantë zbuloi se ai e kishte sulmuar seksualisht.

Nëse ai paraqet një apel për çështjen Carroll siç pretendon se do të bëjë, ai do të duhet të dorëzojë shumën e plotë që i detyrohet Carroll-it që një gjykatë ta mbajë si dorëzani derisa apeli të zgjidhet.

Plus, Trump-it do t'i duhet të lundrojë në gjithë këtë zallamahi financiare në çështjet e tij civile teksa përgatitet për një gjyq penal – i planifikuar të fillojë me 25 mars – nëse ka fshehur të dhënat e biznesit të kompanisë së tij për të fshehur një pagesë të paligjshme për yllin pornografik Stormy Daniels për të fshehur një skandal seksual nga votuesit në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Ai është deklaruar i pafajshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco