Anketimi: Rreziqet ndaj demokracisë shqetësim kryesor për votuesit amerikanë

Anketimi: Rreziqet ndaj demokracisë shqetësim kryesor për votuesit amerikanë

15:56, 04/05/2024
A+ Aa A-

“Rreziqet ndaj demokracisë” janë bërë shqetësimi kryesor i votuesve amerikanë përpara zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, duke ia kaluar edhe ekonomisë dhe emigracionit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias njofton për gjetjet e anketimit më të fundit të kompanisë Ipsos.

Ndërsa merrnin pjesë në votimet paraprake në mars, votuesit demokratë dhe ata republikanë në Arizona ishin të qartë se cilin do të dëshironin që të emëronte partia e tyre si kandidat zyrtar për president.

“Joe Biden-in. Mendoj se është i vetmi kandidat që na ofron lirinë, demokracinë dhe lirinë për të gjithë, jo vetëm për njerëzit që votojnë për të”, thotë votuesi Howard Webster.

“Votova për Donald Trump-in. Mendoj se është i vetmi që dëshiron të dalë në mbrojtje të Kushtetutës, në formën që ajo është shkruar dhe ai është i vetmi që po sulmohet nga gjithë të tjerët për këtë arsye”, thotë votuesi Nicholas Pela.

Ekstremizmi politik dhe rreziqet ndaj demokracisë janë problemet më të rëndësishme me të cilat po përballen Shtetet e Bashkuara, thonë votuesit e anketuar nga kompania Ipsos në mesin e prillit. Demokratët janë të shqetësuar për autoritarizmin.

“Kur demokratët thonë të shpëtojmë demokracinë, e kanë fjalën për ta shpëtuar demokracinë nga Trump-i. Ne e quajmë këtë ‘vota anti-Trump’ dhe sipas përllogaritjeve tona është rreth 25% e popullsisë në moshë madhore”, thotë Clifford Young, nga kompania e anketimeve Ipsos.

Të pavarurit mbështesin demokratët për këto shqetësime, por republikanët e shohin mbrojtjen e demokracisë nga një tjetër këndvështrim.

“Shumë nga kritikat që vijnë nga e djathta, nga radhët e republikanëve, flasin për një sistem të prishur, një sistem të kontrolluar nga elitat, apo të manipuluar nga elitat. Pra në fund të fundit, kur republikanët flasin për ‘shpëtimin e demokracisë’; e kanë fjalën për makinerinë e zgjedhjeve dhe drejtësinë e tyre”, thotë zoti Young.

Vetë zoti Trump ka ngjallur një ndjesi urgjence në radhët e mbështetësve të tij.

“Nëse nuk fitojmë në 5 nëntor, mendoj se vendi ynë do të pushojë së ekzistuari. Mund të jenë zgjedhjet e fundit për ne. E kam me gjithë mend”, deklaroi zoti Trump.

Ndërsa po punon për rizgjedhjen, presidenti Joe Biden paralajmëron gjithashtu për rreziqet që shikon nga rikthimi i zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

“Demokracia jonë është vërtet në rrezik. Kur ai thotë se do të jetë diktator në ditën e parë, ai kërkon të thotë se do të mohojë elementët e Kushtetutës”, tha presidenti Biden.

Duke patur parasysh se anketimet janë vetëm një pamje e momentit, rreth 38% e votuesve të anketuar nga kompania Ipsos mendojnë se presidenti Biden ka një plan më të mirë ndaj rreziqeve për demokracinë, krahasuar me 29% që besojnë se zoti Trump ka planin më të mirë.

“Biden është kandidat i elitave. Ai është krijesë e sistemit. Shihet si mishërim i rregullit dhe stabilitetit. Trump-i përfaqëson devijimin nga këto elita”, thotë zoti Young.

Pas mbrojtjes së demokracisë, votuesit e anketuar përmendën ekonominë dhe emigracionin si shqetësime kryesore përpara mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në nëntor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco