Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët tubim në mbështetje të liderit të opozitës, Sali Berisha

Arabia Saudite kushtëzon marrëdhëniet diplomatike me Izraelin me një shtet të pavarur palestinez

Arabia Saudite kushtëzon marrëdhëniet diplomatike me Izraelin me një shtet të pavarur palestinez

10:12, 07/02/2024
A+ Aa A-

Arabia Saudite i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike me Izraelin nëse nuk njihet një shtet i pavarur palestinez bazuar në kufijtë e vitit 1967, që përfshijnë Jeruzalemin Lindor dhe ndalohet “agresioni” izraelit në Rripin e Gazës, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme saudite të publikuar të mërkurën.

Të martën, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby, tha se administrata e Presidentit Biden ka marrë reagime pozitive se Arabia Saudite dhe Izraeli janë të gatshëm të vazhdojnë diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve.

Mbretëria e Arabisë Saudite e lëshoi deklaratën për të pohuar qëndrimin e saj të palëkundur ndaj Uashingtonit për çështjen palestineze nën dritën e komenteve që i atribuohen zotit Kirby, tha ministria saudite.

Ideja që Izraeli dhe Arabia Saudite të çimentojnë zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike ka qenë pjesë e diskutimeve që kur sauditët dhanë pëlqimin për vendet fqinje, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin, të cilat vendosën marrëdhënie me Izraelin në vitin 2020.

Arabia Saudite ngriu planet e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters në tetor të vitit 2023 burime që kanë dijeni mbi vendimet e Riadit, ndërsa u përshkallëzua lufta midis grupit militant palestinez Hamas dhe forcave izraelite.

Izraeli filloi ofensivën ushtarake në Gazën e kontrolluar nga Hamasi pasi më 7 tetor militantët e organizatës ndërmorën një aksion terrori në Izrael duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng 253 të tjerë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco