Mes acarit, familjet në Gaza kanë mungesë rrobash

Mes acarit, familjet në Gaza kanë mungesë rrobash

13:14, 25/01/2024
A+ Aa A-

Mes konfliktit të vazhdueshëm, familjet palestineze të zhvendosura në Gaza po përballen me mungesën e veshjeve dimërore, duke i detyruar ata të kthehen tek rrobat e përdorura pavarësisht rritjes së çmimeve. Pronari i një dyqani veshjesh, Mahmoud Al-Qaisi, shprehet se dyqanet e veshjeve të përdorura kanë dëshmuar “kërkesë të konsiderueshme”.

“Dyqanet e veshjeve të përdorura janë shumë të përballueshme dhe të aksesueshme për të gjithë. Madje disa njerëz vijnë këtu dhe unë i jap falas sepse nuk kanë para dhe çmimet në Rafah janë shumë të larta. Shumë prej atyre që kanë ardhur qoftë nga veriu në Rafah janë këmbëzbathur, me rroba të grisura, veçanërisht fëmijët.”

Pasi ikën nga qyteti i Gazës duke lënë pas të gjitha gjërat e tij, i riu Ahmed al-Fairy dhe familja e tij luftojnë të kërkojnë ngrohje teksa dimri është bërë edhe më i ashpër.

“Ne erdhëm në këtë dyqan rrobash të përdorura për të blerë për vëllezërit e mi dhe për t’u ngrohur nga i ftohti, sepse qëkur kemi ardhur nuk kemi asgjë. Kur shoh vëllezërit e mi dhe fëmijët e vëllait me rroba të grisura, ulem në çadrën time duke qarë dhe u jap rrobat e mia për t’i ngrohur.”

Shumë nga të zhvendosurit shprehen se ky dyqan ishte si një dritë në fund të një tuneli mes temperaturave të ulëta që kanë përfshirë Gazën.

“Pa rroba apo asgjë tjetër. Ikëm me rroba të grisura nga veriu i Gazës dhe arritëm në Rafah. Burri im punon për të blerë rroba të përdorura për fëmijët e mi.”

Një thirrje sërish e kanë edhe për komunitetin ndërkombëtar.

“Ku janë njerëzit, ku janë kombet të na shikojnë? Ejani dhe shikoni të gjithë Rafahun se në çfarë gjendje është që tendat janë të mbipopulluara dhe kur çdo gjë mungon kryesorja ushqimi dhe uji. Çdo ditë, njëri prej tyre sëmuret.”

Ofensiva e Izraelit në Gaza ka zhvendosur rreth 75% të 2.3 milionë banorëve të Gazës dhe ka shkaktuar një krizë të madhe humanitare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco