Brukseli i kërkon Taylor Swift të mobilizojë të rinjtë votues përpara zgjedhjeve në BE

Brukseli i kërkon Taylor Swift të mobilizojë të rinjtë votues përpara zgjedhjeve në BE

14:34, 10/01/2024
A+ Aa A-

Shiko se çfarë duan që të bëjë: Brukseli i ka kërkuar yllit amerikan Taylor Swift që të mobilizojë të rinjtë votues përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.

Lutja e papritur u shpreh të mërkurën në mëngjes, kur Margaritis Schinas, një nga nënkryetarët e Komisionit Evropian, bëri një komunikim për Vitin Evropian të Rinisë që u mbajt në 2022.

Schinas foli për "rëndësinë që të rinjtë evropianë të marrin pjesë në zgjedhjet evropiane të këtij viti", të planifikuara të mbahen midis datave 6 dhe 9 qershor. Ekspertët parashikojnë një verë të vështirë për BE-në pasi e djathta ekstreme po hyn në zgjedhje, shkruan Jorge Liboreiro në Euronews.

"Tani është momenti që ata (të rinjtë) të thonë fjalën e tyre në kutinë e votimit, t'i atribuojnë lëvdata apo fajësime politikave evropiane. Prandaj është thelbësore, mendoj, që ne, siç kishim në vitin 2019, të kemi një nivel të lartë të pjesëmarrjes së të rinjve evropianë në zgjedhjet e qershorit”, tha ai.

“Askush nuk mund të mobilizojë të rinjtë më mirë se të rinjtë, kështu funksionon”.

Schinas më pas përmendi emrin e Swift për të nënvizuar çështjen.

"Vetëm për t'ju dhënë një shembull: Taylor Swift, shtatorin e kaluar  bëri një thirrje në rrjetet sociale për të rinjtë amerikanë që të regjistroheshin për të votuar. Një ditë pas postimit të saj, 35,000 të rinj amerikanë ishin regjistruar për të votuar," tha ai, duke iu referuar mesazhit të shkurtër që Sëift shpërndau vitin e kaluar në llogarinë e saj në Instagram, e cila numëron më shumë se 270 milionë ndjekës.

Postimi, i cili përfshinte edhe lidhjen me Vote.org, erdhi në mes të turneut të Swift-it në Eras Tour, një shfaqje sensacionale treorëshe që i bën nder të gjithë diskografisë së saj dhe tashmë është bërë turneu i koncerteve me fitimet më të larta në histori.

Suksesi i mahnitshëm bëri që Time Magazine ta kurorëzonte Swift si Personi i Vitit 2023, hera e parë që një muzikant fitoi titullin e lakmuar dhe nxiti një mori analizash rreth ndikimit ekonomik dhe kulturor të turneut.

"Kam qenë shumë me fat që kam parë kaq shumë prej jush në shfaqjet e mia në SHBA kohët e fundit. Ju kam dëgjuar të ngrini zërat dhe e di sa të fuqishëm janë ata," shkroi Swift në Instagram. "Sigurohuni që të jeni gati t'i përdorni në zgjedhjet tona të këtij viti!"

Swift është planifikuar të sjellë Eras Tour në Evropë duke filluar më 9 maj në Paris, një datë që, siç theksoi qartë Schinas, do të përkojë me Ditën e Evropës. Përveç Francës, pjesa evropiane do të shfaqë koncerte me bileta të shitura në shtetet e tjera anëtare, si Suedi, Portugalia, Spanjë, Irlandë, Holandë, Itali, Gjermani, Poloni dhe Austri.

“Taylor Swift do të jetë në Evropë në maj”, tha Schinas.

"Kështu që unë do të shpresoj shumë që ajo të bëjë të njëjtën gjë për të rinjtë evropianë dhe shpresoj shumë që dikush nga ekipi i saj mediatik ta ndjekë këtë konferencë për shtyp dhe t'ia përcjellë këtë kërkesë asaj."

Duke pasur parasysh angazhimet publike të kompozitores të hartuar me kujdes, është e paqartë nëse ajo do t'i kushtojë vëmendje thirrjes nga Brukseli apo thjesht do ta lërë menjanë.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e Parlamentit Evropian ka qenë historikisht e ulët, me divergjenca të thella midis vendeve. Në vitin 2019, shifra ishte 50,66%, hera e parë që kapërceu pragun e 50% që nga viti 1994. Sipas një sondazhi të Eurobarometrit, rritja ishte kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së të rinjve.

Këtë vit, katër shtete anëtare – Belgjika, Gjermania, Malta dhe Austria – do të lejojnë qytetarët e moshës 16 vjeç e lart të votojnë, me shpresën për të rigjallëruar ushtrimin demokratik pan-kontinental./ar/sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco