Fermerët e zemëruar gjermanë bllokojnë ministrin e Financave në një traget, Scholz: E turpshme!

Fermerët e zemëruar gjermanë bllokojnë ministrin e Financave në një traget, Scholz: E turpshme!

11:50, 05/01/2024
A+ Aa A-

Rreth 100 fermerë gjermanë të enjten mbrëma kanë bllokuar ministrin e Financave, njëherësh edhe zv/kancelarin e vendit, Robert Habeck, në një traget, teksa ai kthehej nga pushimet që kaloi në ishullin turistik Halih Hooge, në Detin e Veriut.

Fermerët që kundërshtojnë heqjen graduale të një subvencioni për naftë bllokuan tragetin në Schlitziel të Gjermanisë veriore. Veprimi i fermerëve erdhi pasi qeveria gjermane braktisi pjesërisht planet për të shkurtuar subvencionet e karburanteve për sektorin bujqësor.

Subvencionimi i naftës për fermerët do të hiqet gradualisht deri në vitin 2026 dhe jo i tëri menjëherë siç ishte planifikuar fillimisht.

Policia u përpoq të shpërndante turmën e revoltuar duke përdorur gaz lotsjellës, por masat e marra prej tyre dështuan, njëjtë si përpjekjeje për të zhvilluar bisedime me protestuesit.

Pas kësaj, ministri vendosi të qëndrojë në bordin e tragetit dhe të kthehet në Halih Hooge.  Pasi qetësia u rivendos, ministri mundi të kthehej në kontinent në orën 03:50.

Pavarësisht se Habeck ia doli të rikthehet në Gjermani, fermerët nuk janë ndalur dhe po planifikojnë një javë demonstratash antiqeveritare që do të zhvillohen nga 8 deri më 15 janar, të mbështetur edhe nga sindikata e tyre.

Ndërkohë tentativa e tyre për të penguar tragetin me të cilin udhëtonte ministri i Financave, u cilësua një akt i turpshëm nga anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar.

“Me gjithë respektin për kulturën e protestës, askush nuk duhet të qëndrojë indiferent përballë një tronditje të tillë të moralit politik”, shkroi kancelari Scholz në platformën X, referuar incidentit me Habeck.

Ministri i Bujqësisë Cem Ozdemir, i cili u zotua para fermerëve për të ndryshuar planet e qeverisë, tha këtë mëngjes për ZDF se veprimet e "një pakice njerëzish që nuk veprojnë në favor të bujqësisë gjermane, por kanë ëndrra rebelimi nuk janë të pranueshme".

Edhe ministrja e Jashtme Analena Burbock (Të Gjelbërit) dhe Ministrja e Brendshme Nancy Fesser (Partia Social Demokrate) denoncuan gjithashtu formën e protestës duke e cilësuar "shkelje të kufijve të demokracisë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco