Ukraina: Sulmet e fundit ruse më masivet prej fillimit të luftës

Ukraina: Sulmet e fundit ruse më masivet prej fillimit të luftës

17:31, 29/12/2023
A+ Aa A-

Rusia lëshoi mbi 100 raketa dhe dhjetra dronë kundër objektivave ukrainas, thanë zyrtarët të premten, duke vrarë të paktën 22 civilë në të gjithë Ukrainën.

Zyrtaret ukrainas thanë se ky është sulmi më i madh ajror që kur filloi agresioni i Moskës ndaj vendit fqinj.

Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se sulmi masiv i të premtes duhet të nxisë botën për veprime të mëtejshme në mbështetje të Ukrainës.

 

Një mori qytetesh ukrainase u sulmuan me mbi 120 raketa dhe dhjetra dronë të prodhimit iranian Shahed duke shkaktuar mbi 20 viktima në gjithë Ukrainën, përfshirë Kievin.

Në kryeqytetin ukrainas u shkatërrua një depo, një fabrikë dhe një objekt i lartë banimi ndërsa banorët e Kievit u zgjuan nga zhurma e goditjeve të forta të sulmeve ruse.

 “U zgjova në orën shtatë e gjysmë të mëngjesit nga një zhurmë e tmerrshme. Ishte shumë e frikshme, raketat po fluturonin dhe gjithçka po gumëzhinte. Nuk dija çfarë të bëja.

Ndërsa hyra në banjë, pasqyra u shkatërrua me një forcë të tillë që, pak sekonda më vonë, do të kisha pasur prerje gjithandej”, thotë Maria, banore e Kievit.

Sulme u kryen edhe në qytetin jugor të Zaporizhzhias.

“Dihet për katër të vdekur, janë dy gra dhe dy trupa të paidentifikuar. Dymbëdhjetë të plagosur janë në spital, disa refuzuan mjekimin. Gjithsej armiku ka lëshuar 10 raketa, kemi arritur të rrëzojmë një raketë”, tha zoti Malashko.

Një police, pjesë e ekipeve të shpëtimit, ndërsa e mbante një telefon në dorë tregon se personi me të cilin fliste thotë se dy mbesat e tij janë nën gërmadha.

Banorët e qytetit lindor, Dnipro vraponin për të gjetur strehim ndërsa objektet e banimit dhe një magazinë mallrash vazhdonin të digjeshin edhe disa orë pas sulmeve ruse.

Në tërësi raportohet për të pakten 5 viktima në Dnipro ku ndër të tjera u godit edhe një maternitet.

Një burrë i moshuar u nxorr i gjallë nga një godinë e shkatërruar në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Kharkiv.

Videoja e shpërndarë nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencës tregonte të moshuarin të mbuluar nga gurët e mëdhenj të ndërtesës së shembur, ndërsa ekipet e shpëtimit arritën ta nxjerrin atë nga gërmadhat e objektit të shkatërruar nga sulmet ruse. Sulme u kryen edhe në Odesa dhe Lviv.

Ukraina thotë se ky është sulmi më i madh ajror rus me mbi 120 raketa dhe drone të prodhimit iraniana, Shahed.

“Sot, Rusia përdori pothuajse çdo lloj arme në arsenalin e saj”, shkroi Presidenti i Ukrainas, Volodomyr Zelenskyy në rrjetin social, X.

Po ashtu në X reagoi edhe Kryeministri britanik, Rishi Sunak.

“Këto sulme në qytetet e Ukrainës tregojnë se (presidenti rus Vladimir) Putini nuk do të ndalet para asgjëje për të arritur qëllimin e tij për të zhdukur lirinë dhe demokracinë”, shkroi zoti Sunak dhe shtoi se ne duhet të qëndrojmë përkrahë Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Sulmi masiv ajror rus u krye tre ditë pasi Ukraina shkatërroi anijen ruse “Novocherkassk”, që i dha një goditje të re flotës së Rusisë në Detin e Zi.

Luftimet përgjatë vijës së frontit janë bllokuar kryesisht nga moti i ftohtë pasi kundërofensiva verore e Ukrainës dështoi të bënte një përparim të rëndësishëm përgjatë vijës së frontit të gjatë prej rreth 1000 kilometrash./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco