Giorgia Meloni e sëmurë, mjekët e detyrojnë të qëndrojë në shtrat dhe në errësirë

Giorgia Meloni e sëmurë, mjekët e detyrojnë të qëndrojë në shtrat dhe në errësirë

18:20, 28/12/2023
A+ Aa A-

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shtyrë konferencën e saj të fundvitit për në 4 janar, për shkak të gjendjes jo optimale shëndetësore. Sipas mediave italiane, Meloni ka një problem me ‘otolitet’ që e ka detyruar të qëndrojë e shtrirë në shtrat dhe në errësirë për gati dy ditë.

Mbrëmjen e së mërkurës, Meloni u vizitua në shtëpi nga një mjek ORL, i cili diagnostikoi ‘sindromën otolitike’ dhe kreu manovra për zgjidhjen e situatës.

Fillimisht, sqarojnë bashkëpunëtorët e kryeministrit, mendohej se simptomat si humbje ekuilibri dhe marrje mendsh që iu shfaqën Melonit, ishin ‘pasojë e gripit’.

Kryeministrja prej disa ditësh vuante nga të përzierat dhe marrje mendsh, duke bërë që të dyshohej edhe për veshin e mesit.

Në përfundim të vizitës, specialisti i ORL konstatoi se diagnoza për Melonin ishte ‘vertigo beninje paroksizmale pozicionale’.

‘Tashmë sot në mëngjes, pas manovrës dhe me kollaren që pengonte lëvizjet e befasishme, ajo u ngrit dhe po përmirësohet. Do të duhen edhe disa ditë si masë paraprake’, tha mjeku.

Por çfarë janë otolitet?

Ato kryejnë një funksion të rëndësishëm në veshin e brendshëm që është rregullimi i ekuilibrit të trupit. Otolitet janë grimca të vogla, të përbëra nga oksalati dhe karbonati i kalciumit, të zhytura në një substancë xhelatinoze që mbulon organet otolitike të sistemit vestibular: utrikula dhe sakula.

Otolitet, duke qenë më të dendura se xheli që i rrethon, lëvizin në bazë të pozicionit dhe lëvizjes së kokës, duke stimuluar qelizat e qimeve shqisore të veshit. Këto, nga ana tjetër, transmetojnë sinjale në tru që tregojnë ndryshime në përshpejtimin e trupit në hapësirë.

Në disa rrethana, otolitet mund të shkëputen nga matrica xhelatinoze dhe të migrojnë në kanalet gjysmërrethore, të cilat janë përgjegjëse për perceptimin e rrotullimit të kokës. Në këtë mënyrë, kanalet gjysmërrethore marrin informacion të pasaktë dhe bëhen tepër të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në pozicionin e kokës që normalisht nuk do të kishin asnjë efekt. Kjo situatë shkakton vertigo beninje pozicionale paroksizmale, e cila manifestohet me episode të shkurtra por intensive marramendjeje.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco