SHBA, masat kundër medias vunë në provë parimet e Amendamentit të Parë në 2023

SHBA, masat kundër medias vunë në provë parimet e Amendamentit të Parë në 2023

19:44, 22/12/2023
A+ Aa A-

Në Shtetet e Bashkuara, Amendamenti i Parë që mbron të drejtën e shpehjes dhe të shtypit ka baza të forta, por viti 2023 i vuri në provë ato. Gjatë këtij viti pati bastisje, kontrolle dhe detyrime për dhënie informacioni, shpesh të drejtuara ndaj mediave lokale. Disa përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e medias i konsiderojnë ato shqetësuese.

Bastisja e redaksisë së një gazete të qytetit Marion të Kansasit tërhoqi vëmendjen e gjithë botës në verë 2023. Policia sekuestroi pajisje dhe materiale nga redaksia e Marion County Record, dhe shtëpia e bashkëpronares së saj të moshuar Joan Meyer.

Shefi i policisë së qytetit Marion u pezullua dhe më pas dha dorëheqjen. Analistët thonë se veprimet e policisë ishin nga shkeljet më të rënda të lirisë së shtypit në SHBA në vitin 2023.

Dhe Gabe Rottman i Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit thotë se ky rast nxjerr në pah rëndësinë e lirisë së shtypit.

“Është e rëndësishme që organet e zbatimit të ligjit dhe zyrtarët e tjerë në të gjithë vendin ta kuptojnë rolin që luan shtypi, rëndësinë e medias për të vëzhguar dhe kontrolluar veprimet e qeverisë.” Personeli i gazetës nuk pati asnjëherë mëdyshje për reagimin.

“Ka njerëz që frikësohen lehtësisht dhe ata duhet të kuptojnë se nuk duhet t'i pranojnë këto veprime dhe se ka njerëz që do t'i mbështesin ata”, thotë botuesi dhe bashkëpronari i gazetës Marion County Record.

Organizata për Vëzhgimin e Lirisë së Shtypit në SHBA ndjek shkelje të tilla nga qendra e saj në Bruklin të Nju Jorkut.

“Liria e medias na prek drejtpërdrejt të gjithëve. Është e rëndësishme për të gjithë ne që ai informacion të mblidhet me vërtetësi dhe pa frikë nga ndëshkimi”, thotë kryeredaktorja e kësaj organizate Kristin McCudden.

Zonja McCudden sheh edhe prirje të tjera alarmante, përfshirë përdorimin e kufizimeve për të raportuar. Organizata e saj ka dokumentuar të paktën 10 raste të tilla në vitin 2023, përfshirë në Alabama, Misuri dhe Karolinën e Veriut.

“Viti 2023 dëshmoi se gazetarët dhe gazetaria janë ende nën kërcënim në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo.

Zoti Rottman përmend rastin e gazetares Catherine Herridge, e cila mund të shpallet fajtore për shpërfillje të gjykatës nëse nuk zbulon një burim për një seri investigative në vitin 2017. "Ky rast është një ilustrim i qartë i nevojës për një ligj federal mbrojtjeje", thotë ai.

Këto ligje i mbrojnë gazetarët nga detyrimi për të dhënë informacione, përfshirë emrat e burimeve. Në Nevada, një ligj i tillë ndihmoi gazetën Las Vegas Review-Journal të fitonte një çështje të rëndësishme.

Në tetor, Gjykata e Lartë e shtetit vendosi që pajisjet që i përkisnin gazetarit të kësaj gazete, Jeff German, që u vra me thikë në vitin 2022, nuk mund të kontrolloheshin nga policia.

"Është po aq e rëndësishme që të sigurohemi që puna e gazetarit të vazhdojë duke ruajtur konfidencialitetin e burimeve të tyre." Ndërsa SHBA hyn në një vit zgjedhjesh presidenciale, zonja McCudden thotë se organizata e saj do të ndjekë nga afër kërcënimet ndaj Amendamentit të Parë./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco