Konflikti në Gazë dhe shtimi i sulmeve ndaj pranisë amerikane në rajon

Konflikti në Gazë dhe shtimi i sulmeve ndaj pranisë amerikane në rajon

16:54, 17/12/2023
A+ Aa A-

 Që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupet e mbështetura nga Irani i kanë shtuar sulmet ndaj ushtrisë amerikane në Lindjen e Mesme. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, lëvizja Houthi në Jemen e mbështetur nga Irani ka sulmuar me raketa balistike dhe dronë disa anije ushtarake dhe tregtare. Që nga mesi i tetorit, forcat amerikane janë sulmuar rreth 100 herë në 10 zona të ndryshme në Irak dhe Siri.

“Ka patur më shumë sulme muajin e kaluar sesa kur shërbeja në Irak dhe Siri si zëdhënës i koalicionit global midis gushtit 2019 dhe shtatorit 2020”, thotë koloneli në pension, Myles Caggins, ekspert ushtarak në institutin New Lines.

Ajo periudhë kohe ka qenë e paqëndrueshme, kur një seri sulmesh të mbështetura nga Irani i nxitën Shtetet e Bashkuara që ta eliminojnë udhëheqësin e forcave iraniane elitë, Qassem Soleimani, me një sulm ajror në janar të vitit 2020.

Ushtria amerikane tha se asgjësimi i tij ishte për të parandaluar sulmet e tjera që ishin tashmë në fazat e planifikimit.

“Ishte një periudhë serioze dhe intensive. Aktualisht po shohim veprime edhe më vdekjeprurëse, më kërcënuese, dhe më provokuese nga grupet e armatosura të mbështetura nga Irani, të cilët qartazi po përpiqen të vrasin forcat amerikane në Irak dhe Siri”, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Myles Caggins.

Ushtria amerikane ka reaguar me disa sulme hakmarrëse. Kjo video tregon goditjen e një objekti trajnimi në Siri të përdorur nga ushtria iraniane.

Kohët e fundit kanë rifilluan patrullimet kundër Shtetit Islamik që ishin vënë në pauzë që nga fillimi i sulmeve. Analistët thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për t'i mbajtur përgjegjëse këto grupe të mbështetura nga Irani.

“Nuk mund të presim që këto sulme të jenë diçka e zakonshme, sepse
përfundimisht mund të jenë shumë të suksesshme dhe të shkaktojnë viktima amerikane”.

Kundëradmirali në pension, Mark Montgomery me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD) thotë se qeveria amerikane është tejet e përqendruar për të parandaluar zgjerimin e luftës mes Izraelit dhe Gazës në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Problemi është se nuk po frenojnë kërcënimet kundër forcave amerikane. Nëse ato sulmohen rëndë dhe ka të vrarë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të detyrohen të kundërpërgjigjen rreptë. Kjo në fakt do të shkaktonte përshkallëzimin, të cilit ata i druhen”.

Ndërsa grupet e mbështetura nga Irani kanë ndërmarrë sulme tokësore ndaj forcave amerikane, militantët Houthi në Jemen kanë lëshuar raketa dhe dronë ndaj anijeve amerikane ushtarake dhe tregtare.

“Përfundimisht do të shkaktojë të vrarë në det, kufizime të transportit detar, rritje të tarifave të sigurimit dhe transportit, dhe ndikojë tek ekonomia globale”, thotë kundëradmirali në pension, Mark Montgomery, me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD)

Ushtria amerikane thotë se po punon me një koalicion ndërkombëtar për t'iu përgjigjur sulmeve detare, por refuzon të japë detaje se si mund të duket kjo përgjigje./ Marrë nga VOA

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco