Izraeli hap pikën e kalimit Kerem Shalom, kalon ndihmat në Gaza për herë të parë që nga fillimi i luftës

Izraeli hap pikën e kalimit Kerem Shalom, kalon ndihmat në Gaza për herë të parë që nga fillimi i luftës

16:33, 17/12/2023
A+ Aa A-

Kalimi kufitar Kerem Shalom midis Izraelit dhe Gazës u hap të dielën për kamionët që transportonin ndihma për herë të parë që nga shpërthimi i luftës, një lëvizje që synon të dyfishojë sasinë e ushqimit dhe ilaçeve që dërgohen në enklavë.

Kalimi ishte mbyllur që nga sulmi i përgjakshëm i militantëve të grupit të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, dhe ndihma po dërgohej vetëm përmes kalimit Rafah në kufirin me Egjiptin, për të cilin Izraeli ka thënë se mund të pranojë vetëm 100 kamionë në ditë.

Dy burime të Gjysmëhënës së Kuqe egjiptiane i thanë Reuters se kamionët kishin filluar të hynin sot përmes pikës kufitare Kerem Shalom për në Gaza. Një burim tha se kishte 79 kamionë.

Kerem Shalom, në kufirin e Egjiptit, Izraelit dhe Gazës, është një nga pikat kryesore të tranzitit për mallrat brenda dhe jashtë Gazës, duke i lejuar ato të transportohen shumë më shpejt se kalimi Rafah disa kilometra larg.

Izraeli miratoi javën e kaluar hyrjen e ndihmës.

“Duke filluar nga sot (17 dhjetor), kamionët e OKB-së që transportojnë ndihma do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe do të transportohen drejtpërdrejt në Gaza nëpërmjet Kerem Shalom, në përputhje me marrëveshjen tonë me SHBA-në,” tha COGAT, një shërbim ushtarak që koordinon ndihmën humanitare me Territoret Palestineze.

Zyra e kryeministrit tha më herët se kjo do t’i lejonte Izraelit të përmbushte angazhimet e tij për të lejuar 200 kamionë ndihma në ditë, siç ishte rënë dakord në bazë të një marrëveshjeje pengjesh të arritur dhe zbatuar muajin e kaluar.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco