Takimi me Raisin/ Putin lavdëron lidhjet me Iranin

Takimi me Raisin/ Putin lavdëron lidhjet me Iranin

19:33, 07/12/2023
A+ Aa A-

Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka lavdëruar lidhjet e shtetit të tij me Iranin, në një takim me homologun e tij iranian, Ebrahim Raidi, teksa të dy kanë diskutuar për luftën Izrael-Hamas.

Hamasi, grup palestinez, që udhëheq Gazën, është shpallur organizatë terroriste prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, Moska ka synuar që t’i forcojë lidhjet ekonomike dhe politike me Teheranin.

Të dyja vendet janë nën sanksione të Perëndimit.

“Marrëdhëniet tona janë duke u zhvilluar shumë mirë. Ju lutem dërgojini urimet e mia më të mira për liderin [Ayatollah Ali] Khamenei”, i ka thënë Putin, Raisit, duke iu referuar shefit të shtetit.

“Falë mbështetjes së tij, ne kemi arritur në një momentum të mirë në vitin e kaluar”, ka thënë mes tjerash Putin.

Shtetet e Perëndimit e kanë akuzuar Teheranin për mbështetje të ofensivës së Rusisë në Ukrainë, duke i ofruar sasi të mëdha dronësh dhe armësh tjera.

Të dy kanë diskutuar për luftën dymujore Izrael-Hamas, e cila i ka rritur në mënyrë drastike tensionet në mes të Izraelit dhe shteteve arabe në Lindje të Mesme.

“Është shumë e rëndësishme për ne të shkëmbejmë pikëpamje për situatën në rajon, sidomos lidhur me situatën në Palestinë”, ka thënë Putin.

Presidenti rus ka folur edhe me liderin izraelit dhe ata arabë pak pas nisjes së luftës, dhe ka mëtuar ta pozicionojë veten si ndërmjetësues potencial për paqe në mes të palëve.

Militantët e Hamasit e kanë nxitur luftën me Izraelin, pas sulmit që kanë kryer në territorin e tij më 7 tetor, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Për pasojë, Izraeli ka nisur ofensivë tokësore dhe ajrore në Gazën me 2.3 milionë banorë.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 15.800 njerëz kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite.

Ushtria izraelite, në anën tjetër, i vë fajin Hamasit për vrasjet, duke e akuzuar se po operon në zonat e dendura me civilë./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco