Armëpushimi, shpresë për lirimin e më shumë pengjeve dhe të burgosurve

Armëpushimi, shpresë për lirimin e më shumë pengjeve dhe të burgosurve

18:07, 28/11/2023
A+ Aa A-

Izraeli dhe Hamasi ranë dakord të hënën për zgjatjen e armëpushimit edhe me dy ditë të tjera. Akt që sipas Katarit, që ndërmjetësoi marrëveshjen, u ndërmor për të bërë të mundur lirimin e më shumë pengjeve. Gjatë 4 ditëve të armëpushimit, Hamasi ka lënë të lirë dhjetëra fëmijë ndërsa Izraeli ka liruar nga burgjet, dhjetëra palestinezë. Siç njofton nga Jeruzalemi korrespodentja e Zërit të Amerikës Linda Gradstein, zgjatja e armëpushimit i ka dhënë izraelitëve shpresë se do të lirohen edhe më shumë pengje, përfshirë fëmijë.

U duk se i gjithë kombi mbajti frymën ndërsa priste që Hamasi të lironte fëmijët izraelitë që mbante peng. Shumë izraelitë shpërthyen në lot ndërsa shihnin një e nga një pengjet të liheshin të lirë.

Të hënën, Katari, që ndërmjetësoi marrëveshjen, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për zgjatjen e armëpushimit edhe me dy ditë të tjera, duke shtuar shpresat mes izraelitëve, se të tjerë që po mbahen peng prej 7 tetorit, përfshirë fëmijë, mund të lihen të lirë.

Ohad Munder, një djalë i imët të cilit i pëlqen loja me kubin rubik, mbushi 9 vjeç ndërsa mbahej peng nga Hamasi së bashku me të ëmën, Keren. Ai ndodhet nën kujdes në spital, ku takoi dhe të atin.

Kushërira e tij, Merav Raviv thotë se Ohad është dobësuar, por se ai duket në gjendje të mirë shëndetësore dhe i gëzuar ndërsa feston pas disa ditësh ditëlindjen e nëntë, me miqtë e tij, në spital.

“Ata po flisnin dhe qeshnin si zakonisht. Nuk ka qenë e lehtë për të, por e ëma, Keren tha se ai ishte sjellë mirë. Ka patur momente që ka qarë. Edhe tani që është kthyer, qan kur sheh filma, apo kur dikush i thotë diçka. Është bërë shumë i ndjeshëm. Shpresoj që të kthehet në normalitet sa më parë”, thotë Merav Raviv, e afërme e 9 vjeçarit që u mbajt peng.

Izraeli thotë se mes 240 personave të marrë peng nga Hamasi, 40 janë fëmijë. Një zyrtar nga Katari tha se 10 fëmijë po mbahen peng nga grupe të tjera militante.

Psikologët thonë se fëmijët do kenë nevojë për trajtim për kapërcimin e trumës.

Disa, si 4 vjeçarja Abigail Edan, kanë parë prindërit t’u vriten para syve. I ati, po e mbante në krahë kur u qëllua nga një militant i Hamasit.

“Gjendja e tyre nuk është normale. Ata kanë reagime të ndryshme. Dikush qan, dikush flet për gjëra të ndryshme, dikush ka frikë të dalë jashtë sepse ndihet i pasigurt. Ka të tjerë që nuk duan të shkojnë në një dhomë të sigurt, sepse dhoma e sigurt u kujton vdekjen dhe rrezikun”, tha Yuval Bloch, psikolog për fëmijë dhe adoleshentë

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, në këmbim të çdo pengu të liruar, Izraeli liroi tre të burgosur palestinezë, të gjithë minorenë dhe gra.

Mes të burgosurve që u liruan, ishte edhe Fatima Shaheen, e cila ishte dënuar për përpjekje për të qëlluar me thikë një kolon izraelit.

“Jemi të gëzuar që u lirua, por gëzimi nuk është i plotë sepse nuk mund të mos mendojmë për kushtet e vështira në Gazë, ku jaë vrarë me mijëra persona. Ne këto momente nuk mund të përjetojmë lumturi”, tha Ismail Shaheen, i ati i të burgosurës palestineze që u lirua nga Izraeli.

Familjet izraelite thonë se ribashkimi më fëmijët, u jep sa gëzim edhe hidhërim ndërsa mendojnë se shumë fëmijë të tjerë vazhdojnë të mbahen peng.

Ata thonë se nuk do gjejnë qetësi deri në ribashkimin e çdo familjeje./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco