Debati për skulpturat e Partenonit, kryeministri britanik anulon takimin me homologun grek Mitsotakis

Debati për skulpturat e Partenonit, kryeministri britanik anulon takimin me homologun grek Mitsotakis

13:51, 28/11/2023
A+ Aa A-

Kryeministri britanik Rishi Sunak anuloi takimin me homologun grek Kiriakos Mitsotakis. Shkak për këtë është bërë deklarata e kryeministrit grek lidhur me statujat e Partenonit, për të cilat tha se duhet të kthehen në Greqi.

Mitsotakis shprehu pakënaqësinë në një intervistë për rrjetin britanik të lajmeve BBC të dielën ku ai përsëriti kërkesën e Athinës për kthimin e skulpturave në Athinë. Sunak dhe Mitsotakis do të takoheshin paraditen e së martës në Londër.

Greqia i ka kërkuar shpesh Muzeut Britanik që të kthejë skulpturat 2500-vjeçare që diplomati britanik Lord Elgin mori nga tempulli i Partenonit në fillim të shekullit të 19-të kur ai ishte ambasador në Perandorinë Osmane.

“Shpreh keqardhjen që kryeministri britanik anuloi takimin e planifikuar mes nesh, vetëm disa orë para se ai të mbahej”, tha Mitsotakis në një deklaratë. “Qendrimet e Greqisë për çështjen e skulpturave të Partenonit janë të njohura. Shpresoja t’i diskutoja ato me homologun tim britanik. Cilido që beson në drejtësinë e qendrimeve të veta nuk ka frikë kurrë të përballet me argumente” shtoi ai.

Ndërsa zëdhënësi i Mitsotakis  u shpreh për televizionin Skai  se vendimi i Sunak nuk ishte vetëm mungesë respekti për kryeministrin, por edhe për popullin grek”. Qeveria greke ka qenë në diskutime me drejtuesit e Muzeut Britanik  mbi një marrëveshje të mundshme për kthimin e skulpturave, të cilat kanë qenë një burim mosmarrëveshjesh midis dy vendeve për shekuj me radhë, por qeveria britanike e ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga pronësia e statujave.

Një Akt i Muzeut Britanik i vitit 1963 ndalon heqjen e objekteve nga koleksioni i këtij institucioni, por nuk e pengon dhënien e tyre hua. Kryeministri grek ndodhet në Londër që nga dita e diel. Më herët ai u takua me udhëheqësin e opozitës britanike Keir Starmer.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco