Marrëveshja për pengjet në Gaza: ‘Deri sa t'i shoh me sytë e mi, nuk  besoj asgjë’

Marrëveshja për pengjet në Gaza: ‘Deri sa t'i shoh me sytë e mi, nuk besoj asgjë’

11:44, 23/11/2023
A+ Aa A-

Hen Avigdori është një shkrimtar i njohur izraelit i komedisë, i cili thotë se misioni i tij ka qenë gjithmonë t’i bëjë njerëzit të qeshin. Por për 48 ditët e fundit, kjo është shndërruar në një fushatë për të rikthyer "vajzat e mia".

Kontakti i fundit që ai pati me familjen e tij - gruan Sharon, e cila është 52 vjeçe dhe vajzën e tyre 12-vjeçare, Noam - ishte më 7 tetor, në orën 10 të mëngjesit, kur ato thanë se do të shkonin në dhomën e sigurt dhe gjithçka do të ishte në rregull.

"Ato kishin shkuar për të vizituar një kibuc shumë paqësor në jug të Izraelit. Asgjë nuk na kishte përgatitur për situatën e tmerrshme që pasoi," thotë Hen.

"Ne të gjithë duhej të shkonim në kibucin Be'eri për të vizituar vëllanë e gruas sime, por minutën e fundit djemtë vendosën të qëndronin në shtëpi dhe vajzat shkuan. Gjëja tjetër që e dinim ishte se pati një rrëmujë të madhe në jug dhe ato u shpallën të zhdukura për dy javët e para – derisa më pas morëm lajmin si të rrëmbyera.

Për familjen e Hen Avigdori dhe shumicën dërrmuese të pengjeve, nuk ka pasur asnjë provë se janë gjallë.

Me një marrëveshje për lirimin e pengjeve të shpallur të mërkurën, ai shpreson se gruaja dhe vajza e tij do të jenë në mesin e të liruarve.

"Shpresa ka qenë e vetmja gjë që na ka mbajtur të ecim gjatë 48 ditëve të fundit," thotë ai. "Por unë jam gjithashtu shumë i kujdesshëm, nuk e kam shumë të lartë shpresën. Siç i kam shpjeguar djalit tim 16-vjeçar dhe gjithë familjes, deri në ditën që do t'i shoh vajzat me dy sytë e mi, ne nuk besojmë asgjë”.

Hen thotë se është përpjekur të mos mendojë për kushtet në të cilat po mbahen. Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta” brenda Gazës.

"Unë përpiqem të mos imagjinoj," thotë ai, "përpiqem të mos mendoj për këtë sepse kam një mision dhe misioni është t'i nxjerr jashtë. Sa më shumë që mendoj për gjendjen e tyre, aq më shumë shumë zhytem në depresion.”

Image

Noam dhe Sharon Avigdori u rrëmbyen nga një kibbutz më 7 tetor

Ndërkohë Hen ka takuar figura të larta në qeverinë izraelite, Kryqin e Kuq, dhe atë që ai e quan një "anëtar shumë të lartë të ekipit negociator të Katarit".

Dhe, thotë ai, ka bërë shumë presion mbi qeverinë izraelite për t'i dhënë përparësi lirimit të pengjeve në vend të fitores ushtarake.

Të hënën, gjatë një debati të ashpër midis politikanëve izraelitë dhe anëtarëve të familjes në Knesset izraelit, Hen iu lut anëtarëve të parlamentit që "të ndalojnë së foluri për vrasjen e arabëve dhe të fillojnë të flasin për shpëtimin e hebrenjve".

Hen thotë se ai gjithmonë besonte se në fund nuk kishte asnjë mënyrë për ta nxjerrë familjen e tij pa një marrëveshje. Një opsion ushtarak për të nxjerrë 240 njerëz nga Gaza nuk është i realizueshëm, beson ai.

Por ai shton se "nuk do të ketë asnjë ndjenjë të mirë për marrëveshjen edhe pasi të gjithë pengjet të lirohen, derisa Hamasi ta ndjejë goditjen izraelite në terren". Hen thotë se kjo do të thotë "dhënia fund Hamasit dhe lirimi i çdo pengu nga robëria janë të ndërlidhura"./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco