Gati 60 sulme ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri

Gati 60 sulme ndaj trupave amerikane në Irak dhe Siri

16:36, 15/11/2023
A+ Aa A-

Nga Zëri i Amerikës

Sulmet ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme nga militantë të mbështetur nga Irani vazhduan edhe këtë javë, me një goditje me raketa ndaj një baze amerikane në Sirinë lindore të martën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Pentagon Carla Babb, Shtetet e Bashkuara thonë se masat për frenimin e Iranit po funksionojnë, por duket se ato nuk janë të mjaftueshme për të ndalur sulmet me dronë dhe raketa.

Në një video të publikuar nga Departamenti i Mbrojtjes mund të shihen pamje të sulmit më të fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj një qendre trajnimi, të përdorur nga mbështetësit e Iranit në lindje të Sirisë. Avionët luftarakë të Shteteve të Bashkuara goditën qendrën e trajnimit të dielën në përgjigje të një sulmi të militantëve në një bazë të forcave amerikane.

Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes thanë për Zërin e Amerikës se militantët e mbështetur nga Irani kanë sulmuar trupat amerikane në Irak dhe Siri të paktën 56 herë në më pak se një muaj, përfshirë pesë sulme të kryera të dielën.

Zëri i Amerikës e pyeti zëdhënësen e Pentagonit nëse Pentagoni e pranon se masat për frenimin e Iranit nuk po funksionojnë.

‘Ne mendojmë se masat frenuese po funksionojnë. Nuk kemi parë një përhapje të konfliktit më gjerë në rajon. Sulmet që ne po kryejmë kanë për qëllim t’i dërgojnë një sinjal dhe mesazh të fortë Iranit dhe grupeve pro-iraniane që të ndalen. Ky është qëllimi i këtyre sulmeve ajrore’, thotë zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh.

Zëri i Amerikës e pyeti zyrtaren e Pentagonit nëse Irani dhe grupet, që mbështeten prej tij e kanë kuptuar këtë mesazh.

‘Mendoj se ne jemi duke i kryer sulmet ndaj këtyre grupeve me kujdes dhe në mënyrë të organizuar. Mendoj se Irani po e sheh në mënyrë të qartë këtë mesazh’, tha zonja Singh.

Më shumë se 50 amerikanë kanë pësuar lëndime të lehta nga sulmet e këtyre grupeve, thonë zyrtarët amerikanë. Një grup senatorësh amerikanë nga të dyja partitë thanë në një konferencë shtypi të martën se Shtetet e Bashkuara janë me fat që asnjë amerikanë nuk është vrarë në këto sulme dhe bënë thirrje për një reagim më të fortë ndaj Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.

‘Nëse Irani vazhdon të kërcënojë trupat tona në Siri dhe Irak, mendoj se një përgjigje e duhur do të ishte goditja e bazave dhe infrastrukturës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në Iran’, tha senatori republikan Lindsey Graham.

Ish-komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme, Frank McKenzie tha për Zërin e Amerikës se pakësimi i trupave amerikane në rajon e ka bërë më të guximshëm Iranin.

‘Qëllimi i tyre kryesor mbetet largimi i Shteteve të Bashkuara nga rajoni. Kjo është arsyeja për rritjen e këtyre sulmeve ndaj trupave amerikane’, tha ai.

Dy zyrtarë të mbrojtjes konfirmuan për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara vërtet ishin me fat gjatë një sulmi muajin e kaluar në bazën ajrore të Irbilit në Irak. Një dron u përplas me një ndërtesë banimi të trupave amerikane, por nuk shpërtheu. Një zyrtar tha se nëse droni do të kishte shpërthyer, disa ushtarë amerikanë do të ishin plagosur apo vrarë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco