Lajmi i fundit

SPECIALE/ 7 orët e Erion Veliajt në SPAK

Netanyahu: Izraeli ka filluar fazën e dytë të luftës në Gazë

Netanyahu: Izraeli ka filluar fazën e dytë të luftës në Gazë

08:53, 29/10/2023
A+ Aa A-

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha të shtunën se forcat izraelite kanë filluar fazën e dytë të luftës në Gazë, ndërsa vazhdojnë trysninë kundër militantëve të Hamasit me operacione tokësore.

Popullata e rrethuar e Gazës nuk ka asnjë komunikim me botën e jashtme pasi avionët izraelitë vazhduan bombardimet dhe ushtria izraelite tha se po përgatitej për ofensivën nga toka kundër militantëve të Hamasit.

Duke folur në një konferencë shtypi në Tel Aviv, kryeministri Netanyahu paralajmëroi se lufta do të ishte e gjatë dhe e vështirë dhe përsëriti apelin e Izraelit drejtuar civilëve palestinezë për t’u evakuuar nga pjesa veriore e Rripit të Gazës, ku Izraeli ka përqendruar sulmin.

Ai premtoi se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të shpëtuar më shumë se 200 pengjet që janë rrëmbyer nga Hamasi.

‘Kjo është faza e dytë e luftës, objektivat e së cilës janë të qarta - të shkatërrojë aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit dhe të kthejë pengjet në shtëpitë e tyre,’ u tha zoti Netanyahu gazetarëve.

Izraeli ka izoluar dhe bombarduar Gazën për tre javë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor që shkaktoi vdekjen e 1400 izraelitëve në ditën më vdekjeprurëse të historisë 75-vjeçare të vendit.

Vendet perëndimore në përgjithësi kanë mbështetur atë që ata thonë se është e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje, por ka pasur shqetësime në rritje ndërkombëtare lidhur me numrin e bombardimeve dhe thirrje për një pauzë për të lejuar ndihmat të hyjnë në Gazë.

Autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës, me 2.3 milionë banorë, nën kontrollin e Hamasit, thonë se 7,650 palestinezë janë vrarë në fushatën e Izraelit për të zhdukur militantët.

Shumë ndërtesa janë kthyer në rrënoja dhe banorët e Gazës kanë mungesa në ushqime, ujë, karburant dhe ilaçe. Gjendja e tyre u përkeqësua të premten në mbrëmje, kur shërbimet telefonike dhe interneti u ndërprenë - pasuar nga bombardime të fuqishme gjatë natës.

Megjithëse nuk kishte shenja për një ndërhyrje masive, Izraeli tha se trupat e dërguara në Gaza të premten në mbrëmje vazhdonin të ishin në terren, duke vënë në shënjestër infrastrukturën, përfshirë rrjetin e gjerë të tuneleve të ndërtuar nga Hamasi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco