Vendi i lashtë romak do të ‘zgjerohet’

Vendi i lashtë romak do të ‘zgjerohet’

17:07, 16/10/2023
A+ Aa A-

Duket si problemë matematikore. Si zmadhohet një nga vendet antike më të famshme në botë?

Nuk mund të ndërtosh më shumë. Mund të gërmosh më shumë, por me kosto të jashtëzakonshme.

Me shtimin e turistëve që e vizitojnë vendin e lashtë, ekipi që kujdeset për parkun arkeologjik të Pompeit ka gjetur një plan B, do të shpërndajë vizitorët nëpër vendet antike që janë më tutje, me bileta "të gjitha të përfshira" dhe me transport mes vendeve.

Grande Pompei do të jetë një "parco diffuso", ose park arkeologjik i shpërndarë, duke përfshirë zonat arkeologjike të vetë Pompeit, si edhe vilat në Boscoreale, Oplontis (në qytetin modern të Torre Annunziatës) dhe Stabiae, në Castellammare di Stabia moderne.

Në një vizitë në Pompei javën e shkuar, duke folur me gazetarët, ministri i kulturës së Italisë, Gennaro Sangiuliano, e quajti atë një "muze të shpërndarë", si edhe një "program rritjeje të qëndrueshme të vendeve arkeologjike të parkut [arkeologjik] dhe të zonës përreth.”

Vendet janë pjesë e Parkut Arkeologjik të Pompeit, por deri tani, biletat janë shitur veçmas. Janë gjithashtu relativisht larg njëri-tjetrit, vendet e parkut shtrihen rreth 10 km, me pak transport publik për disa prej tyre. Një shërbim transporti rreth vendeve, Pompeii Artebus, nisi si një projekt pilot në vitin 2021.

Mungesa e infrastrukturës do të thotë se numri i vizitorëve është i ulët. Teksa rreth katër milionë njerëz e vizituan vetë Pompein në vitin 2019, vetëm 55,000 arritën të shihnin Villa A (që mendohet se ka qenë në pronësi të perandorit Nero dhe gruas së tij të dytë, Poppaea Sabina, të cilën ai e vrau) në Oplontis. Vetëm 52,000 arritën të shkonin deri te dy vilat në Stabiae, Villa Arianna dhe Villa San Marco.

E megjithatë, Pompei është plot e përplot. Numri i vizitorëve u rrit nga më pak se 2.7 milionë në vitin 2014 në mbi 3.9 milionë deri në vitin 2019. Në korrik 2023, një rekord prej 21,141 personash e vizituan parkun në një ditë të vetme.

Në vitin 2023, u vendos një linjë e një treni direkt me shpejtësi të lartë për në Pompei nga Roma. Megjithatë, treni shkon vetëm një të diel në muaj, duke shtuar ngarkesën e udhëtarëve ditorë. Qyteti antik ishte vendi më i vizituar i trashëgimisë në Itali në "Domenica al Museo". Vendet e trashëgimisë shtetërore kanë hyrje falas të dielën e parë të muajit.

Biletat për vendin "e shpërndarë" do të jenë të vlefshme për tri ditë, me transport falas që lidh të gjithë vendet.

Nga kjo lëvizje, do të rihapet e Antikuariumi, një muze pranë Villa Regina të Boscoreale. Do të ketë një dhomë kushtuar gërmimeve aktuale në Civita Giuliana, duke përfshirë karrocën ceremoniale të gjetur në mars 2021.

Villa dei Misteri në Pompei do të ketë edhe ndriçim të ri i cili do ta imitojë më mirë ndriçimin origjinal të vilës.

Lëvizja vjen pas "Grande Progetto Pompei", ose Projekti i Madh i Pompeit, i cili ka mbikëqyrur rinovimet në të gjitha vendet në dekadën e fundit, të financuar në shumën prej 105 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Gërmime të mëdha janë bërë në Civita Giuliana, ku u zbuluan mbetjet e kuajve në vitin 2018 dhe një karrocë në vitin 2021, si edhe një dhomë që zbulon më shumë për jetën e skllevërve. Projekti solli edhe hapjen e dy muzeve të rinj në zonë: Antikuariumi, i cili u hap në vitin 2021 dhe Museo Archeologico di Castellammare di Stabia, Libero D'Orsi, që ndodhet në pallatin madhështor Reggia di Quisisana në Castellamare di Stabia.

Falë projektit janë restauruar gjithashtu 70 ndërtesa, janë hapur 40 hektarë të tjerë për vizita dhe është krijuar një shteg i aksesueshëm prej 4 km për njerëzit me lëvizshmëri të reduktuar.

Sangiuliano u tha gazetarëve këtë javë, teksa festonte përfundimin e projektit, se skema e re e Grande Pompeit do të kishte më shumë se 230 milionë euro investime.

Projekti do të nisë më 13 tetor.

Përkthyer nga SYRI, marrë nga CNN

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco