Lajmi i fundit

TASK FORCE/ I korruptuar, fundi pa lavdi i Erion Veliajt

Historia e përgjakshme Palestinë - Izrael dhe zgjidhja që s'duket gjëkundi

Historia e përgjakshme Palestinë - Izrael dhe zgjidhja që s'duket gjëkundi

17:05, 07/10/2023
A+ Aa A-

Militantët e Hamasit kanë sulmuar me raketa Izraelin mëngjesin e së shtunës së 7 tetorit 2023. Dhjetra viktima e qindra të plagosur raportohen nga autoritetet izraelite të cilat kanë shpallur gjendje lufte.

Ndërkohë grupi militant prentendon se ka marrë 33 pengje izraelitë, civilë dhe ushtarë, në zonën kufitare.

Mohammed Deif, udhëheqësi i grupit militant të Hamasit, tha se 5.000 raketa janë hedhur në Izrael në atë që ai e quajti “Operacioni Al-Aksa Storm”.

Po si ka nisur konflikti i përgjakshëm mes Izraelit dhe Palestinës?

Me humbjen e Perandorisë Osmane në Luftën I Botërore, e cila ishte zotëruese e territorit, Britania e Madhe mori kontrollin e territorit të Palestinës, i banuar nga arabët që përbënin shumicën, dhe një pakicë hebreje.

Komuniteti ndërkombëtar vendosi që t’i ngarkojë Britanisë së Madhe detytën për të krijuar një shtet për hebrenjtë në atë territor, e cila do të shërbente si “shtëpi kombëtarë” për hembrenjtë e shpërndarë nëpër botë.

Kjo gjë rriti tënsionet mes dy popujve. Për izraelitët kjo ishte “toka e premtuar”, për arabët ishte atdheu i tyre i përhershëm.

Asnjëra nga palët nuk ra dakord me vendimin e fuqive të mëdha.

Mes viteve 1920 dhe 1940, numri i hebrenjve që mbërrinin në atë territor u rrit ndjeshëm, shumica e tyre largoheshin për t’i shpëtuar përndjekjes në Europë dhe kërkonin një atdhe, pas Holokaustit dhe Luftës II Botërore.

Dhuna mes hebrenjve, arabëve dhe britanikëve, u përshkallëzua. Në vitin 1947, Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi që Palestina të ndahej në dy shtete të ndryshme, një për hebrenjtë dhe një për arabët, ndërsa Jerusalemit iu dha statusi i qytetit ndërkombëtar.

Plani u pranua nga udhëheqësit hebrenj, por u refuzua nga pala arabe dhe nuk u vu kurrë në zbatim.

Krijimi i Izraelit dhe “Katastrofa”

Në vitin 1948, të pafuqishëm për të zgjidhur problemin, sunduesit britanikë u larguan dhe udhëheqësit hebrenj deklaruan krijimin e shtetit të Izraelit. Shumë palestinezë kundërshtuan dhe kështu nisi lufta. Trupat e vendeve arabe fqinje pushtuan territorin. Qindra mijëra palestinezë u larguan vetë, ose me forcë, nga shtëpitë e tyre, një ngjarja të cilën ata e quajnë “Al Nakba”, ose “Katastrofa”.

Kur luftimet përfunduan një vit më vonë, Izraeli kishte marrë kontrollin e pjesës më të madhe të territorit. Jordania kishte pushtuar një pjesë që më pas u quajt Bregu Perëndimor, ndërsa Egjipti kishte pushtuar Gazën.

Jerusalemi u nda mes forcave izraelite në perëndim dhe atyre jordaneze në lindje. Për shkak se palët nuk firmosën kurrë një marrëveshje paqeje, secila palë fajësonte tjetrën dhe në dekadat që pasuan luftimet nuk u ndalën kurrë.

Në vitin 1867, Izraeli pushtoi Jerusalemin lindor dhe Bregun Perëndimor, si dhe pjesën më të madhe të Lartësive Golan, që i përkisnin Sirisë, Gazës dhe gadishullin e Sinait, që deri në atë moment ishte pjesë e Egjiptit. Shumica palestinezëve të kthyer në refugjatë, dhe pasardhësit e tyre, jetojnë sot në Gaza dhe Bregun Perëndimor, por edhe në vendet fqinje, si Jordiania, Siria dhe Libani.

Asnjë prej tyre nuk është lejuar që të rikthehet në shtëpitë e tyre, pasi Izraeli pretendon se kjo do të mbipopullonte vendin dhe do të kërcënonte ekzistencën e shtetit.

Izraeli mban ende të pushtuar Bregun Perëndimor dhe megjithëse është tërhequr nga Gaza, OKB-ja e konsideron ende territor të pushtuar. Izraeli pretendon se Jerusalemi është i gjithi kryeqyteti i shtetit, ndërsa palestinezët pretendojnë të kenë Jerusalemin Lindor si kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez. Shtetet e Bashkuara dhe një numër i vogël shtetesh, janë të vetmit që njohin pretendimet e Izraelit mbi qytetin.

Në 50 vitet e fundit, Izraeli ka ndërtuar vendbanime në zonat e pushtuara, ku sot jetojnë më shumë se 600 mijë hebrenj. Palestinezët thonë se këto ndërtime janë në shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe pengojnë paqen, por Izraeli e mohon këtë.

Çfarë ndodh tani?

Tensionet mes palëve përshkallëzohen shpesh. Gaza drejtohet nga grupi militant palestinez, Hamas, i cili ka kryer disa herë luftime me shtetin izraelit. Izraeli dhe Egjipti kontrollojnë kufirin e Gazës për të mos lejuar që Hamasi të marrë armatime. Sulmi i sotëm tregon se as Izraeli, as Egjipti nuk kanë qenë vigjilent sa duhet.

Palestinezët në Gaza dhe Bregun Perëndimor thonë se vuajnë për shkak të veprimeve dhe pengesave të shtetit të Izraelit, ndërsa autoritetet në Tel Aviv thonë se veprojnë vetëm për vetëmbrojtje.

Këtë vit, situata është përkeqësuar që prej nisjes së muajit të Ramazanit në mes të prillit, ku pothuajse çdo natë janë regjistruar përleshje mes palestinezëve dhe policisë.

Për çfarë nuk bien dakord palët?

Ka disa çështje mbi të cilat Izraeli dhe Palestina nuk mund të jenë në një mendje. Këtu përfshihet e ardhmja e refugjatëve palestinezë, qëndrimi apo largimi i hebrenjve të vendosur në Bregun Perëndimor, ndarja e Jerusalemit dhe – ndoshta çështja më delikate – a duhet të kenë palestinezët shtetin e tyre, përkrah atij të Izraelit.

Bisedimet e paqes zhvillohen prej 25 vitesh, por deri tani askush nuk e ka zgjidhur dot këtë konflikt.

Çfarë do të ndodhë në të ardhmen?

Me shumë gjasa, zgjidhja do të vonojë. Plani më i fundit i paqes, i hartuar nga Donald Trump kur ishte president i Shteteve të Bashkuara – dhe i quajtur prej kryeministrit izraelit Benyamin Netanyahu si “marrëveshja e shekullit” – është hedhur poshtë nga palestinezët dhe me ngjarjen e sotme i është vënë dinamiti.

Zgjidhja e këtij konflikti shekullor është një sfidë që duket me zgjidhje të largët. Pasojat e rindezjes së konfliktit sot duket se do të sjellin një tjetër përgjakje mes dy popujve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco