Gati 1.000 persona vdesin nga ethet tropikale në Bangladesh

Gati 1.000 persona vdesin nga ethet tropikale në Bangladesh

11:36, 28/09/2023
A+ Aa A-

Gati 1.000 persona kanë vdekur në Bangladesh javëve të fundit, dhe autoritetet kanë thënë se bëhet fjalë për një prej shpërthimeve më të rënda të etheve tropikale deri më tani.

Periudhat jashtëzakonisht të lagshta, me shi, e kanë bërë më të lehtë për mushkonjat që ta bartin virusin e etheve tropikale.

Zyrtarët kanë thënë se vështirë që mund ta mbajnë nën kontroll sëmundjen dhe spitalet veçse janë të stërngarkuara.

Në rastet e rënda, ethet tropikale përcillen me gjakderdhje që mund të çojë në vdekje.

Simptomat kryesore janë kokëdhembja dhe dhimbjet e muskujve dhe nyjeve.

Ethet tropikale janë endemike në vendet tropikale dhe shpërthimet ndodhin në zonat urbane me higjienë të dobët, çka e mundëson shumimin e mushkonjave.

Kjo sëmundje ka qenë dikur sezonale në Bangladesh, mirëpo për shkak të motit të nxehtë dhe periudhave të lagshta, ajo është duke u përhapur shumë më shpesh.

Zyrtarë të shëndetit publik besojnë se vala aktuale e infektimeve e ka zënë shtetin në befasi, pasi është shkaktuar nga një mutacion më të fuqishëm i virusit.

Mjekët janë duke thënë se gjendja e pacientëve me ethe tropikale është duke u përkeqësuar shumë më shpejt, në krahasim me të kaluarën. /REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco