Një shekull nga sfida japoneze për zbutjen e tërmeteve

Një shekull nga sfida japoneze për zbutjen e tërmeteve

10:11, 01/09/2023
A+ Aa A-

Kur tërmeti i fuqishëm i 11 marsit 2011 tronditi Japoninë, Takashi Hosoda ishte në një rrokaqiell në Tokio.

Megjithatë, ky arkitekt nuk u shqetësua, sepse e dinte se ndërtimet moderne japoneze janë krijuar për të mbrojtur banorët e tyre.

Por, kjo nuk asgjë të përbashkët me tërmetin e 1 shtatorit 1923, me magnitudë 7,9 ballë Rihter, që shkaktoi 105 000 të vdekur.

– Betoni i armuar është mbreti – 

”Fatkeqësia e 1 shtatorit 1923 shënoi lindjen e strukturave rezistente ndaj tërmeteve në Japoni”, thotë Yoshiaki Nakano, një ekspert nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve të Shkencave të Tokës dhe Rezistencës ndaj Fatkeqësive (NIED).

Kodi i parë japonez për ndërtimet rezistente ndaj tërmeteve u prezantua në vitin 1924.

Këto standarde janë zgjeruar vazhdimisht që atëherë, duke nxjerrë mësime nga tërmetet e tjera të mëdha që ndodhën më pas në arkipelag, që përjeton 10% të lëkundjeve të planetit.

”Rregullat japoneze të ndërtimit antisizmik janë ndër më të rreptat në botë”, kujton Nakano.

“Ne duhet të sigurojmë një qëndrueshmëri strukturore relativisht më të lartë se kudo tjetër dhe kontrolli i përpiktë i përputhshmërisë me standardet, nga planet deri në ndërtimin përfundimtar, është gjithashtu një faktor kyç”, shton ai.

Tërmeti me magnitudë 9,0 ballë Rihter në vitin 2011 shkaktoi një cunami shumë vdekjeprurës në verilindje të vendit, por dëmi u kufizua në Tokio edhe pse kullat e saj u lëkundën fort dhe për një kohë të gjatë, por pa u shkatërruar.

– Kullat plot me amortizues –

Strukturave bazë të përforcuar kohët e fundit i janë shtuar mekanizmat antidridhje për rrokaqiejt, thënë ndryshe jastëkë gome poshtë themeleve për t’i izoluar nga toka, amortizues të shpërndarë në dysheme apo edhe lavjerrës me peshë disa qindra tonë.

E ndërtuar në vitin 2014, ”Toranomon Hills Mori Tower” (247 metra) është plot me sisteme antidridhje, përfshirë 516 amortizues vaji dhe cilindra.

“Në momentin e lëkundjeve, pajisja përsërit një lëvizje elastike dhe fillon të nxehet. Ai e shndërron energjinë e çliruar nga tërmeti në energji termike duke bërë të mundur uljen e vibrimeve”, tha Kai Toyama, zyrtar në gjigantin japonez të pasurive të paluajtshme ”Mori Building”.

Pas tërmetit të Kobes në 1995 (më shumë se 6 000 të vdekur), theksi u vu gjithashtu në forcimin e standardeve të rezistencës ndaj tërmeteve për shtëpitë e reja prej druri dhe përmirësimin e ndërtesave të vjetra, që datojnë që nga kodi i fundit i riparimit të madh në 1981.

”Tërmeti i madh i vitit 1923 shkaktoi edhe një zgjim ndërgjegjësimi të të gjithë shoqërisë japoneze”, vëren Nakano.

Që nga viti 1960, 1 shtatori është Dita Kombëtare e Parandalimit të Fatkeqësive.

Këtë ditë, fëmijë të panumërt, punonjës dhe nëpunës civilë – përfshirë të gjithë qeverinë – kryejnë ushtrime simuluese për një tërmet të madh.

Shumë japonezë mbajnë vazhdimisht furnizime emergjente në shtëpi, siç bëjnë bizneset dhe qeveritë.

Që nga 1 prilli 2023, autoritetet lokale në Tokio ruajnë 9,5 milionë vakte të menjëhershme (oriz, petë, biskota) në rreth 400 magazina.

– Një kryeqytet ende i pambrojtur –

”Këto masa paraprake u intensifikuan pas tërmetit të vitit 2011, i cili shkaktoi bllokime të mëdha trafiku në Tokio dhe pezullimin e transportit publik, duke penguar miliona njerëz të kthehen në shtëpi”, nënvizon Takashi Hosoda, kreu i menaxhimit të fatkeqësive në ”Mori Building”.

Pavarësisht gjithë këtyre përpjekjeve, Tokio mbetet një qytet i prekshëm nga tërmetet dhe aq më tepër nga fatkeqësitë e tjera natyrore si përmbytjet.

Zonat lindore të kryeqytetit bazohen në toka të paqëndrueshme dhe të prirura nga përmbytjet dhe përqendrimi i banesave të vjetra prej druri të ngjitura me njëra-tjetrën vazhdon.

”Rindërtimi i Tokios në periudhën e pasluftës ishte anarkik dhe zhvillimi ekonomik me prioritet dhe jo realizimi i një qyteti elastik”, ankohet sizmologu Masayuki Takemura.

Ai gjithashtu vuri në dukje një “përqendrim të tepruar të rrokaqiejve” dhe ndërtimin e zonave të banuara në ishuj artificialë, duke rritur rrezikun e tyre të izolimit në rast të një fatkeqësie natyrore.

Ekspertët thonë se ka një shans 70% që një tërmet i madh të godasë Tokion brenda 30 viteve të ardhshme. /ATSH-AFP/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco