‘Çnjerëzore’! Moslejimi i grave në parqe kombëtare nga talebanët ngjall zemërim: Ata po na varrosin të gjalla

‘Çnjerëzore’! Moslejimi i grave në parqe kombëtare nga talebanët ngjall zemërim: Ata po na varrosin të gjalla

10:06, 01/09/2023
A+ Aa A-

Mijëra familje dynden çdo vit pranë liqeneve me ngjyrën blu të kristaltë dhe shkëmbinjve të lartë në Band-e Amir, një nga parqet kombëtare më të njohura në Afganistan.

Midis vizitorëve ishte edhe familja e Zahra Qumbri, një gruaje të re që jeton në provincën qendrore të Bamiyanit, ku ndodhet parku.

Por, Qumbri nuk do të mund ta vizitojë më këtë park, pasi talebanët, më 26 gusht, ndaluan hyrjen e të gjitha grave në Band-e Amir – veprim që ka shkaktuar zemërim të madh.

“Ky është një akt mizor që është edhe i palogjikshëm dhe çnjerëzor”, tha Qumbri për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë. “Në dy vjetët e fundit, gratë janë larguar nga të gjitha aktivitetet kulturore, ekonomike dhe politike”.

Ky vendim shihet si përpjekja e fundit për t’i fshirë gratë afgane nga jeta publike. Që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, talebanët ua kanë ndaluar grave arsimimin dhe shumicën e formave të punësimit dhe kanë vendosur kufizime të rrepta për lirinë e lëvizjes dhe paraqitjes së tyre në publik.

“Ne jemi praktikisht nën arrest shtëpiak”, tha Qumbri. “Ato [ndalimet] po rriten gradualisht dhe po shtrëngojnë kufizimet kundër grave afgane. Ata po na varrosin të gjalla”.

“Hixhabi është vetëm një justifikim”
Vendimi i fundit hyri në fuqi menjëherë pasi Mohammad Khalid Hanafi, ministri i talebanëve për promovimin e virtytit dhe parandalimin e veseve, deklaroi se gratë që vizitonin Band-e Amir nuk e mbanin hixhabin e detyrueshëm, ose shaminë islame të kokës, siç duhet.

“Shëtitja nuk është një domosdoshmëri për gratë”, tha Hanafi, i cili urdhëroi luftëtarët talebanë të mos e lejojnë asnjë grua të hyjë në park.

Gul Bakht Nejati, një grua që jeton në Bamiyan, tha se luftëtarët talebanë po ua ndalonin disa grave hyrjen në Band-e Amir edhe përpara se të shpallej vendimi për një gjë të tillë.

“Të gjithë ato që shkonin atje merreshin në pyetje”, tha ajo, duke shtuar se gratë u urdhëruan ta dëshmonin marrëdhënien e tyre me burrat që i shoqëronin. “Nëse shoqëroni burrin tuaj, duhet të keni me vete certifikatën e martesës sepse talebanët gjithmonë do t’ju marrin në pyetje”.

Taranum Saeedi, një aktiviste afgane për të drejtat e grave, thotë se talebanët po përdorin shkeljet e pretenduara të grave në rregullat për hixhabin si një justifikim për të pakësuar më tej qasjen e grave në vende publike. Vitin e kaluar, talebanët gjithashtu ua ndaluan grave përdorimin e palestrave dhe shkuarjen në banja publike dhe paraqet e qytetit.

“Gratë afgane kanë mbajtur gjithmonë hixhabin islamik”, tha Saeedi për Radio Azadi. “Por, talibanët janë një grup mizogjen dhe shtypës”.

Më shumë vuajtje
Vendimi i fundit i talebanëve ka të ngjarë të shkaktojë një rënie të konsiderueshme në numrin e njerëzve që vizitojnë Band-e Amir, një destinacion kryesor turistik në Afganistan. Pronarët e bizneseve vendase që varen nga turizmi kanë frikë se jetesa e tyre do të dëmtohet.

“Dyqanet tona tani do të duhet të mbyllen”, i tha Radio Azadi një grua që ka një dyqan pranë njërit prej gjashtë liqeneve në parkun kombëtar. Ajo foli në kushte anonimiteti për arsye sigurie.

Në vitin 2009, Band-e Amir u bë parku i parë kombëtar zyrtar i Afganistanit. Katër vjet më vonë, disa roje gra u punësuan në park, për herë të parë në Afganistan. Numri i turistëve vendas që vizitonin parkun po rritej vazhdimisht deri në pushtimin e talebanëve.

“Kjo është thjesht mizore”, tha për Radio Azadi Hogai Amil, një shkrimtare afgane dhe aktiviste për të drejtat e grave. “Kjo është një tradhti ndaj kulturës dhe vlerave tona njerëzore”./REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco