OKB-ja dhe Turqia: Rusia t’i rikthehet eksportit! Duhet vendosur stabiliteti ekonomik

OKB-ja dhe Turqia: Rusia t’i rikthehet eksportit! Duhet vendosur stabiliteti ekonomik

20:19, 31/08/2023
A+ Aa A-

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i dërgoi një propozim ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fillim të kësaj jave për ringjalljen e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi, i tha agjencisë së lajmeve Reuters më 31 gusht një diplomat rus, duke folur në kushte anonimiteti.

Diplomati, i cili e pa letrën, tha se në propozim nuk pati asgjë të re, por “përmblidheshin idetë e mëparshme të OKB-së, të cilat nuk u realizuan”.

Po më 31 gusht, edhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, gjatë një vizite në Moskë tha se ringjallja e kësaj marrëveshje ishte “kritike” për sigurinë ushqimore.

“Ne theksuam rolin e saj kritik për sigurinë dhe stabilitetin global të ushqimit në Detin e Zi”, tha Fidan, gjatë një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Fidan ishte në Moskë për të përgatitur një samit jozyrtar midis presidentit turk, Reccep Tayip Erdogan, dhe atij rus, Vladimir Putin, në qytetin turistik Soçi të Rusisë në Detin e Zi javën e ardhshme.

Rusia u tërhoq muajin e kaluar nga marrëveshja për drithëra e mbështetur nga OKB-ja, për të cilën Turqia ndihmoi ndërmjetësimin.

Si Ukraina, ashtu edhe Rusia që atëherë kanë vendosur plane për të filluar transportin e drithërave jashtë kornizës së marrëveshjes.

Turqia dëshiron që palët ndërluftuese të kthehen në marrëveshje dhe ta përdorin atë si bazë për bisedime më të gjera paqeje.

“Unë përsërita besimin tonë se rigjallërimi i nismës do ta rivendosë stabilitetin”, tha Fidan.

Moska thotë se marrëveshja e mëparshme vendosi kufizime indirekte në eksportet e saj të drithërave dhe plehrave, duke kufizuar qasjen e Rusisë në sistemet globale të pagesave dhe sigurimet.

Lavrov përsëriti qëndrimin e kahershëm të Rusisë se do të kthehet në marrëveshje pasi të plotësohen kërkesat e Rusisë. Ai përsëriti pohimin e Rusisë se sanksionet ekonomike perëndimore po pengonin eksportet ruse të drithërave dhe plehrave.

Marrëveshja e ndihmoi Ukrainën të eksportonte më shumë se 30 milion ton drithë dhe produkte ushqimore vitin e kaluar.

Kjo ndihmoi në uljen e çmimeve globale të ushqimeve që u rritën pas nisjes së luftës në Ukrainë./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco