Lajmi i fundit

Dhuna ndaj protestuesve/ Policia e pushtetit godet deputeten e PD-së Albana Vokshi

Dokumentet sekrete zbulojnë skandalin, si Gjermania merrte para fshehurazi nga Rusia dhe vononte armët për Ukrainën

Dokumentet sekrete zbulojnë skandalin, si Gjermania merrte para fshehurazi nga Rusia dhe vononte armët për Ukrainën

12:29, 07/08/2023
A+ Aa A-

Përfaqësuesit e AfD-së në Bundestag, ndërsa përgatisnin një padi kundër qeverisë gjermane për shkak të dorëzimit të armëve në Ukrainë, prisnin ndihmë financiare nga Moska.

Kjo është “bomba” e “Spiegel”, që duket se ka hedhur dritë mbi një fenomen që mund të ketë zënë vend në gjithë Europën. Ishte portali javor dhe kërkimor gjerman “The Insider”, ai që publikoi dokumente që vërtetojnë lidhjet e AfD-së së ekstremit të djathtë me Rusinë.

Aktivisti Vladimir Sergienko, 52 vjeç jeton në Berlin dhe punon për përfaqësuesin e AfD Eugen Schmidt, por sipas dokumenteve, ai është në fakt një “ndërmjetës” mes Moskës dhe ekstremit të djathtë gjerman. Ai flet shkëlqyeshëm rusisht, shpesh shfaqet në televizionin rus. Sergiyenko bëri disa udhëtime në Moskë duke kërkuar para për AfD, me qëllim që që të vononte dërgimin e armëve gjermane në Ukrainë, sipas “Spiegel”.

Marrëveshja

Gazeta ka marrë dokumente, mesazhe dhe e-mail nga punonjës dhe aktivistë të AFD-së, mes të cilave ka biseda lidhu me një person në Moskë.

Thuhet se ai mund të jetë një spiun rus, i dyshuar i shërbimeve të inteligjencës evropiane. Bazuar në listën e telefonatave, shihet se ky person komunikon me një celular që e përdor pothuajse ekskluzivisht për biseda me Sergienkon. Kjo është një taktikë e zakonshme mbulimi e përdorur nga shërbimet e inteligjencës ruse. Dokumentet tregojnë se AfD shpresonte në ndihmën ruse, në këmbim të vonesave të armëve për Kievin.

Sipas dokumenteve, AfD donte të punësonte një firmë të njohur ligjore që kërkon 450 euro në orë për të ngritur një padi kundër dërgesave gjermane të armëve. Ndoshta do të kërkonte 25 mijë euro në muaj për shpenzimet ligjore plus 10 mijë euro të tjera, thuhej në komunikimin me Moskën. Katër muaj më vonë, AfD në fakt ngriti një padi kundër qeverisë.

Më 4 korrik, grupi i partisë gjermane të ekstremit të djathtë ngriti një padi në Gjykatën Kushtetuese gjermane, duke argumentuar se qeveria e Olaf Scholz nuk duhej të kishte dorëzuar tanke dhe pajisje të tjera luftarake në Ukrainë pa pëlqimin e Bundestagut. Deputeti i AfD-së, Stephan Brandner, kujtoi se deri vonë, rregulli i mos dërgimit të armëve në zonat e luftës dhe të krizës ishte i vlefshëm në Gjermani.

“Ura lidhëse”

Duket se Vladimir Sergienko është një lloj ndërmjetësi mes AfD-së dhe Moskës, shkruan “Spiegel”.

Për afërsinë e Sergienkos me Rusinë tregon edhe fakti se ai ka udhëtuar në Rusi rreth njëzet herë në tre vitet e fundit. Ai fluturoi për në Moskë një ditë para se trupat ruse të pushtonin Ukrainën. Që atëherë, ai e ka vizituar Rusinë të paktën 17 herë, kryesisht përmes Turqisë. Vladimir Sergiyenko shfaqet shpesh në televizionin shtetëror rus, autoritetet ukrainase së fundmi e vendosën në listën e personave dhe institucioneve nën sanksione për qëndrimin e tyre armiqësor ndaj Ukrainës.

Sergienko ka lidhje veçanërisht të ngushta me Ulrich Oehme, një anëtar i AfD në shtetin lindor të Gjermanisë, Saksoni. Oehme është një nga fansat më të shquar të Putinit në mesin e politikanëve të AfD, sipas “Spiegel”. Sergienko mban kontakte me përfaqësues të shumtë rusë, përfshirë Maria Butinën, e cila u dënua në SHBA si agjente e Moskës dhe u deportua në Rusi. Ndër kontaktet e tij janë propagandues të rëndësishëm si Margarita Simonjan, drejtuese e kanalit televiziv RT dhe Vladimir Soloviev nga televizioni shtetëror rus.

Sipas dokumenteve ruse të siguruara nga Spiegel, duket se Sergienko jo vetëm që ka udhëtuar shpesh në Moskë, por ka edhe një apartament atje në lagjen Zamoskvorechye të Moskës.  Kur udhëton për në Moskë, Sergiyenko shpesh përdor pasaportën e tij ruse, me numër serial 76-7509293. Një herë, kur Sergienko u kthye nga një udhëtim në Rusi, doganierët i zbuluan 9000 euro.

Në qershor e ndaluan sërish dhe sërish zbuluan se në bagazh mbante 9000 euro, pak më poshtë se kufiri 10,000 euro në Gjermani. A ishin paratë e destinuara për një operacion për të zgjeruar ndikimin rus në Gjermani? A është në të vërtetë një padi nga AfD projekti për të cilin Sergienko mori para në Rusi? “Spiegel” nuk jep përgjigje përfundimtare. AfD e mohon lidhjen, por dyshimet mbeten.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco