Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

Qytetarët e huaj evakuohen nga Nigeri, pas rritjes së tensioneve nga puçi

11:01, 02/08/2023
A+ Aa A-

Qytetarët e huaj pritën në radhë në aeroportin e Nigerit të mërkurën në mëngjes për fluturimin e tretë të evakuimit, pas puçit në vendin e Afrikës Perëndimore.

Forcat franceze në kryeqytet, Niamey, i evakuuan qindra të huaj, kryesisht francezë, drejt Parisit me dy aeroplanë të martën, pas shqetësimeve se qytetarët e tyre dhe evropianët e tjerë rrezikojnë të ngujohen nga grusht shteti ushtarak i javës së kaluar, në të cilin u rrëzua dhe arrestuar presidenti Mohamed Bazoum.

Franca, Italia dhe Spanja njoftuan se po i evakuojnë qytetarët e vet dhe evropianët e tjerë nga Nigeri.

Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë njoftuar nëse do t’i evakuojnë qytetarët e vet, por disa amerikanë janë larguar me ndihem e shteteve evropiane tashmë.

Një aeroplan ushtarak italian ateroi në Romë të mërkurën me 99 udhëtarë, përfshirë 21 amerikanë dhe civilë nga vendet e tjera, tha Ministria e Mbrojtjes e Italisë.

Dy aeroplanët e parë që ateruan në Paris gjatë natës kishin 12 foshnje, në mesin e 262 udhëtarëve në bord, shumica e të cilëve francezë. Ministria e Punëve të Jashtme e Francës tha se në mesin e të evakuarëve kishte edhe qytetarë nga Nigeri, Portugalia, Belgjika, Etiopia dhe Libani.

Të dielën, blloku rajonal i vendeve të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, tha se do ta përdorë forcën kundër juntës së Nigerit, nëse ajo nuk e liron dhe rikthen në pushtet presidentin e vendit brenda një jave. Por, kjo deklaratë u kundërshtua menjëherë nga Mali, Burkina Faso dhe Guineja, të cilat udhëhiqen nga ushtarët kryengritës që i rrëzuan qeveritë e tyre.

Liderët e Malit dhe Burkina Fasos thanë se ndërhyrja ushtarake në Nigerit “do të nënkuptonte shpallje të luftës” kundër tyre.

Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se sekretari i tyre Antony Blinken foli me presidentin Bazoum dhe e theksoi se SHBA-ja e kundërshton çdo përpjekje për ta prishur rendin kushtetues, dhe se ajo e përkrah popullin e Nigerit, ECOWAS-in, si dhe Unionin Afrikan dhe partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të qeverisjes demokratike dhe respektimit të sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut./REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco