Presidenti izraelit fjalim në Kongres: SHBA-Izrael, lidhje e pathyeshme

Presidenti izraelit fjalim në Kongres: SHBA-Izrael, lidhje e pathyeshme

08:21, 20/07/2023
A+ Aa A-

Presidenti i Izraelit mbajti një fjalim para Kongresit amerikan të mërkurën në një paraqitje që synoi të tregojë atë që ai e quajti “lidhje e pathyeshme” mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, pavarësisht shqetësimeve të Uashingtonit lidhur me përpjekjet e kryeministrit konservator Beniamin Netanjahu, për të bërë ndryshime në sistemin gjyqësor, si dhe për zgjerim të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Isaac Herzog bëhet presidenti i dytë izraelit, pas babait të tij, Chaim Herzog, që mban një fjalim në Kongresit amerikan.

Presidenti izraelit Isaac u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se ai i mirëprit kritikat, veçanërisht nga miqtë amerikanë, por shtoi se ato nuk duhet ta kalojë kufirin duke i mohuar të drejtën Izraelit për të ekzistuar. Ky, tha ai, është antisemitizëm.

Vizita e presidentit të Izraelit po ekspozon gjithashtu vështirësitë me të cilat përballen demokratët në balancimin e mbështetjes së gjatë të SHBA-ve për vendin aleat, me kundërshtitë nga ana tjetër, ndaj disa veprimeve të qeverisë së zotit Netanjahu, një koalicion partish ultranacionaliste dhe ultra-ortodokse.

Të martën Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë, iniciuar nga republikanët, ku riafirmohej mbështetja për Izraelin. Rezoluta mori mbështetje të fortë dypartiake, e dukej se ishte një kritikë ndaj një prej demokrateve kryesorë në Kongres, e cila gjatë fundjavës e quajti Izraelin një “shtet racist”. Megjithatë një ditë më pas ajo kërkoi falje.

Rezoluta, e prezantuar nga ligjvënës republikan August Pfluger, mori më shumë se 400 vota. Në të nuk përmendej me emër ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal, por qartësisht u pa si një përgjigje ndaj kritikave të bëra të shtunën nga zonja Jayapal ndaj Izraelit dhe mbi mënyrën se si ky vend i trajton palestinezët.

Të dielën zonja Jayapal, kryetare e Grupit Progresiv të Kongresit, u tërhoq nga komentet, duke këmbëngulur se ato kishin në shënjestër zotin Netanjahu dhe jo Izraelin.

Rezoluta e iniciuar nga republikanët theksoi ndarjen mes demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve mbi këtë çështje, me progresistët më të rinj që mbajnë një qëndrim më kritik ndaj aleatit të vjetër të SHBA-së, sesa udhëheqësit e partisë.

Ligjvënësja demokrate Rashida Tlaib, e vetmja palestinezo-amerikane në Kongres, bojkotoi fjalimin e zotit Herzog dhe kritikoi rezolutën duke e cilësuar si normalizim të dhunës kundër atyre që jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar, shtuar këtu dhe mbështetjen që qeveria e zotit Netanjahu i ka dhënë procesit të zgjerimit të vendbanimeve hebraike atje.

Të martën Presidenti Joe Biden zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësin e moderuar të Izraelit, Presidentin Isaac Herzog, e dyta në harkun kohor të një viti. Ata biseduan për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë forcimin e lidhjeve të Rusisë me Iranin.

Dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi normalizimin e mëtejshëm diplomatik me fqinjët e Izraelit dhe shqetësimet e Uashingtonit lidhur me përpjekjet e kryeministrit konservator për të bërë ndryshime në sistemin gjyqësor, si dhe zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Kjo është vizita e dytë e Presidentit izraelit Isaac Herzog në Shtëpinë e Bardhë në më pak se një vit, ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu ende nuk e ka vizituar Zyrën Ovale të Presidentit Biden.

Të martën, të dy presidentët diskutuan bazat e asaj që zoti Biden e cilësoi si lidhjen e tyre të pathyeshme.

“Siç ia konfirmova dje Kryeministrit Netanyahu, angazhimi i Amerikës ndaj Izraelit është i hekurt. Jemi të përkushtuar që Irani të mos ketë kurrë armë bërthamore. Kështu që ne kemi shumë për të biseduar”, tha Presidenti Joe Biden.

Zoti Herzog i adresoi gjithashtu shqetësimet e Presidentit Biden lidhur me planet e Kryeministrit Netanyahu për të reformuar gjyqësorin izraelit, çka ka shkaktuar protesta masive ndërsa shumë izraelitë thonë se e çon vendin drejt autokracisë.

“Është një debat i nxehtë, por është gjithashtu një virtyt dhe një nderim për madhështinë e demokracisë izraelite. Më lejoni ta përsëris qartë, demokracia izraelite është e shëndoshë, e fortë dhe e qëndrueshme. Po kalojme momente dhimbje, debate të ashpra dhe sfiduese. Por unë me të vërtetë besoj zoti president, siç i kam thënë edhe popullit izraelit, se ne gjithmonë duhet të gjejmë një konsensus miqësor”, tha presidenti izraelit.

Zhvillimet po ndiqen nga miliona amerikanë që kanë lidhje me Izraelin.

“Jemi në solidaritet me protestuesit. Është shpresa më e mirë, më e madhe për Izraelin që të vazhdojë të lulëzojë si një demokraci gjithëpërfshirëse. Në këtë mes ka shumë çështje, që nga të drejat e grave e deri tek barazia LGBTQIA, tek të drejat e formave të ndryshme të shprehjes dhe grupe të tjera besimesh që kërkojnë që të drejtat e tyre të mbrohen në Izrael”, thotë rabini Jonah Pesner me Qendren e Veprimit Fetar të Judaizmit të Reformuar.

Grupet më konservatore hebraike nuk pajtohen. Disa republikanë po kërkojnë që Uashingtoni të qëndrojë jashtë çështjeve të Izraelit.

“Ajo që ka bërë administrata e Biden-it, mendoj se ka qenë e turpshme. Mënyra se si ata trajtojnë një aleat të fortë si Kryeministri Netanyahu ka qenë e turpshme. Përpjeka e tyre për ta shtyrë Izraelin në politika të gabuara, ka qenë e turpshme. Ka shumë zhvillime në Izrael, siç është reforma në drejtësi. Biden-i duhet të tërhiqet dhe ta lërë Izraelin ta qeverisë veten”, thotë Ron DeSantis, kandidat republikan për president.

Shtëpia e Bardhë tha këtë javë se Presidenti Biden do të takohet me Kryeministrin Netanyahu gjatë muajve të ardhshëm, por pa përmendur vendin dhe datën. Presidenti Herzog do të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan./VOA/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco