Trajneri i Paris Saint-Germain merret në pyetje nga policia mbi dyshimet për racizëm

Trajneri i Paris Saint-Germain merret në pyetje nga policia mbi dyshimet për racizëm

21:33, 30/06/2023
A+ Aa A-

Trajneri i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier dhe djali i tij janë arrestuar në kuadrin e një hetimi mbi akuzat për racizëm në një nga ish-klubet e tij.

Galtier dhe djali i tij, John Valovic-Galtier, u dërguan në paraburgim për t'u marrë në pyetje të premten në mëngjes, tha prokurori i Nice, Xavier Bonhomme.

Galtier, i cili është duke u larguar nga PSG, por ende nën kontratë, nuk i pranoi akuzat se ai bëri komente raciste dhe anti-myslimane kur ishte në krye të klubit francez të Nice në fillim të këtij viti.

RMC Sport dhe media të tjera franceze publikuan raporte duke cituar një e-mail të rrjedhur nga ish-drejtori i futbollit të Nice, Julien Fournier drejtuar pronarëve të klubit, Ineos, në të cilin ai akuzonte Galtier se kishte thënë se kishte shumë lojtarë me ngjyrë dhe myslimanë në skuadër.

Galtier tha se ai ndihej i lënduar "në nivelin më të thellë" të humanizmit të tij nga akuzat dhe ka ndërmarrë veprime ligjore.

Bonhomme tha në atë kohë se një hetim paraprak ishte hapur për "diskriminim mbi bazën e supozuar të racës ose fesë". Ai tha se po trajtohej nga policia e Nices me kontrollet në selinë e klubit.

Shefi i komunikimit të PSG-së, Julien Maynard tha se ishin bërë "akuza serioze" kundër Galtier dhe se klubi e mbështeste plotësisht atë.

RMC Sport tha se Fournier, i cili ishte në mosmarrëveshje me Galtier gjatë qëndrimit të tij në Nice, i shkroi drejtorit të sportit të Ineos, Dave Brailsford për ta njoftuar për detajet e një bisede që kishte me trajnerin.

Ineos e fitoi klubin jugor në 2019 dhe emëroi Galtier si trajner në 2021, pasi fitoi titullin me Lille.

Ai kaloi një sezon në Nice para se të bashkohej me PSG.

Fournier u largua nga Nice në vitin 2022 pas më shumë se një dekade në klub. Fournier kishte përmendur më parë çështje serioze me Galtier gjatë një interviste me RMC, duke thënë se trajneri i PSG-së nuk do të ishte kurrë në gjendje "të hynte përsëri në dhomën e zhveshjes" pa shpjeguar arsyet e mosmarrëveshjes së tyre.

56-vjeçari Galtier e udhëhoqi PSG-në drejt një tjetër titulli të ligës franceze siç pritej, por PSG u eliminua herët në Champions League dhe Kupën e Francës nga rivali Marseille këtë sezon.

Forma e PSG-së ra pas Kupës së Botës, me 10 humbje në 28 ndeshje në 2023.

Galtier ka një vit të mbetur në kontratën e tij, por PSG thuhet se ka zhvilluar bisedime me Luis Enrique për ta zëvendësuar atë në ditët në vijim./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco