Rusia në prag lufte civile, Wagner merr Rostovin pa rezistencë

Rusia në prag lufte civile, Wagner merr Rostovin pa rezistencë

10:17, 24/06/2023
A+ Aa A-

Ndoshta është herët për të thënë nëse ky është një grusht i mirëfilltë shteti, por e sigurt është se Rusia gjendet pa diskutim në prag të një lufte civile, pas kërcënimeve të shefit të grupimit Wagner, Yevgeni Prigozhin, ndaj ministrit rus të Mbrotjes, Sergey Shoigu.

Sipas Prigozhin, Shoigu ka ndërmarrë një sulm kundrejt një kampi të Wagner dhe ka lënë qindra ushtarë të vrarë.

Ndaj ai ka nisur një inkursion në territor rus, me qëllim kryesor mbërritjen në Moskë dhe kapjen e Shoigut.

Sipas raportimeve në terren dhe vetë publikimeve të Prigozhin, i cili ka qenë aktiv çdo 30 minuta në platforma komunikimi gjatë natës, forcat e tija kanë marrë qytetin rus të Rostov (rreth 1.1 milionë banorë), pa hasur në rezistencë të Ushtrisë ruse.

Kjo, përtej faktit se qytete të tëra dhe kryesisht Moska janë blinduar nga Garda Kombëtare dhe Shërbimet e Inteligjencës ruse janë në gatshmëri të lartë.

Në bazë të pretendimeve të Prigozhin, rreth 25 mijë mercenarë Wagner kanë nisur atë që ai e quan ‘marshim’ drejt kryeqytetit rus. Ai po ashtu pretendon se gjysmën e Ushtrisë ruse e ka nga ana e tij.

Ndërkaq, janë raportuar edhe tërheqje masive ushtarake nga fronti rus në Ukrainë, për t’iu bashkuar rebelimit.

Prigozhin ka publikuar edhe një video nga Rostovi, ku shfaqet ai vetë me drejtues vendorë të forcave ruse, të cilët duken të qetë gjatë bisedave me të.

Nga vetë Kremlini, komenti i vetëm i bërë është ai i zëdhënësit për shtyp, Dmitry Peskov, i cili ka thënë se Vladimir Putin është në dijeni të situatës. Por, nuk dihet asnjë detaj lidhur me këtë.

Incidente të tjera janë raportuar në zona të ndryshme, herë me pretendime se Wagner ka rrëzuar helikopterë rusë, e herë se forcat ruse kanë goditur mjete të Wagner. Këto gjithsesi mbeten të pa vërtetuara.

Mesazhe tepër të ashpra u dhanë nga Prigozhin natën e 23 qershorit, kur ai arriti deri aty sa të deklaronte se ‘do ta varë Shoigun në Sheshin e Kuq’, për çfarë i bëri ushtarëve të tij.

Nga Ministria ruse e Mbrojtjes, komenti i vetëm ishte ai se ata nuk kanë lidhje me sulmin që është bërë ndaj kampit Wagner.

Gjeneral-koloneli Sergei Surovikin, zëvendës komandant i Grupit të Forcave Ruse që luftojnë në Ukrainë, u kërkoi forcave Wagner të ndalonin çdo lëvizje kundër ushtrisë, duke thënë se kjo do të luante në duart e armiqve të Rusisë, të cilët ‘po presin të shohin përkeqësimin e situatën tonë të brendshme politike.

Një tjetër oficer i lartë ushtarak, gjenerallejtënant Vladimir Alexeyev, e denoncoi veprimin e Prigozhin si ‘çmenduri’ dhe kërcënoi se do të niste një luftë civile në Rusi. ‘Është një goditje me thikë pas shpine për vendin dhe presidentin’, tha ai.

‘Është e pamundur të imagjinohet një goditje më e fortë për imazhin e Rusisë dhe forcave të saj të armatosura. Një provokim i tillë mund të organizohej vetëm nga armiqtë e Rusisë’, shtoi ai.

Njëkohësisht, komente mbi situatën ka pasur edhe nga Ukraina dhe SHBA-të, prej ku bëhet me dije se situata po monitorohet imtësisht dhe se kjo nuk është një farsë, por realitet.

Valery Gerasimov ndërkaq, një prej gjeneralëve të lartë rusë, mendohet se ka qenë në zyrat e Mbrojtjes në Rostov dhe është larguar përpara ardhjes së Wagner në qytet. Këta të fundit kanë kontrollin e zyrave tanimë.

Detaje të tjera priten në vijim, kur mendohet se të angazhuar për ndalimin e Wagner, janë vendosur forcat çeçene të Ramzan Kadyrov.

Në Moskë, masat janë ato të anti-terrorit.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco